Komandanti i KFOR-it, gjenerali Enriko Borduani, ka folur në lidhje me situatën në veri.
Në një intervistë për mediuin serb Kosovo Online, Borduani ka ritheksuar se dërgimi i FSK-së në veri kërkon pëlqimin paraprak të KFOR-it.
“Sipas zotimeve ekzistuese me Kosovën, vendosja e Forcave të Sigurisë së Kosovës në veri të Kosovës kërkon pëlqimin paraprak nga KFOR-i. Ne vlerësojmë respektimin e vazhdueshëm të Kosovës për këtë detyrim, veçanërisht në kohë tensionesh të shtuara. Policia e Kosovës, duke përfshirë njësitë e saj të specializuara, mund të veprojë në mbarë Kosovën pa pasur nevojë për pëlqimin e KFOR-it. Megjithatë, ne presim konsultime me kohë dhe kuptimplote për çdo veprim të Forcave të Sigurisë së Kosovës apo Policisë së Kosovës që mund të ndikojë në mjedisin e sigurisë dhe të ketë implikime të drejtpërdrejta për stabilitetin rajonal” – tha ai.
Kur u pyet për kërkesën e kryeministrit Albin Kurti për dislokimin e FSK-së në veri pas shpërthimit në kanalin e Ibër-Lepencit, Borduani ka pasur një përgjigje interesante.
“Në rastin e Zubin Potokut, nuk kishte nevojë për vendosjen e FSK-së, pasi Policia e Kosovës, me mbështetjen e EULEX-it dhe KFOR-it, ishte plotësisht në gjendje të menaxhonte situatën” – tha ai.