Himni i flamurit që shkroi Çabej, në konkursin e vitit 1937: Atje lidhet besa e Zotit, për liri dhe për Atdhe!
Më 1937-ën, Çabej do të shkruante këtë himn, në konkursin “për një himn të ri, me frymë thjesht shqiptare”. Por, ai e tërhoqi këtë krijim nga konkursi, kur mësoi se në këtë konkurs ishin pjesëmarrës personalitete të cilët, Çabej i nderonte dhe i çmonte shumë, duke mos e konsidruar veten të denjë të matej.
Pas pëlqimit të përgjithshëm të ‘Rreth flamurit të përbashkuar’ si himn kombëtar (1912), në mënyrë të vazhdueshme janë shkruar këngë apo qoftë edhe vetëm poezi, për himnin kombëtar. Të tilla kanë shkruar At Gjergj Fishta më 1913, Ernest Koliqi më 1921, si fitues i vendit të parë në konkursin për himnin kombëtar shpallur nga ministria e Arsimit, Fan S.Noli më 14 nëntor 1926 me titull ‘Hymni i flamurit’, Mihal Grameno me titull ‘Kënga Kombëtare’, Hil Mosi me ‘Himn i Bandës së Lirisë’. Po ashtu edhe nga poeti Lasgush Poradeci më 1933, të botuar në vëllimin ‘Vallja e yjeve’ etj.
Në vitin 1922, Këshilli i Ministrave shpall konkursin për bërjen e ‘Himnit zyrtar kombëtar’. Për shpalljen e konkursit dhe kriteret e tij caktohet Ministria e Arsimit ku ndër të tjera u përcaktua edhe masa e shpërblimit prej 1000 franga ari për vjershëtarin e himnit dhe 3000 franga ari për kompozitorin e tij. Më tej, në vitin 1937, në përvjetorin e 25-të pavarësisë, u organizua një konkurs, me qëllimin e një himni tjetër kombëtar. Sipas arsyetimeve të komisionit të ngritur për kremtimet e 25-vjetorit të vetëqeverimit, ‘… hymni i sotëm i flamurit kombëtar asht fjalë për fjalë përkëthimi i një marshi rumun dhe gjithashtu melodija e tij asht nji kopjim i plotë i muzikës rumune”’.
Duke e konsideruar ekzistencën e këtij himni ‘… si një cen për ndërgjegjen kombëtare dhe për sedrën t`onë atdhetare”, komisioni i përbërë nga Parashqevi Kyrias, Mati Logoreci, Kol Rodhe, Telki Selenica, Sotir Papakristo, Karl Gurakuqi, Zoi Xoxa, Lasgush Poradeci, Qemal Butka dhe Odhise Paskali në mbledhjen e datës 5 mars 1937, vendosën hartimin e një himni tjetër me frymë thjesht shqiptare. Ky komision ngriti edhe një grup që do të vendoste për caktimin e krijimit artistik, si himni i ri kombëtar. Komisioni përbëhej nga At Gjergj Fishta, Mid`hat Frashëri dhe Konstantin Cipo. Nga 76 krijime, fitues u shpall himni i krijuar nga Beqir Çela, i cili mbante pseudonimin ‘Osoja i Ri’.