Jeta dhe sfidat e Faton Hajrizit, shumë shpejt do të paraqiten në një film me metrazh të gjatë.
Një regjisor turk ka shprehur interesim që të kaluarën e Hajrizit ta shfaq përmes ekranit.
Kontrata për këtë projekt tashmë është nënshkruar, dhe punimet për ndërtimin e skenarit kanë filluar me intensitet.
Lajmin për IndeksOnline e ka konfirmuar nëna e Faton Hajrizit, Shehrije Hajrizi.
Nëna e tij, e cila është thellësisht e përkushtuar për të dokumentuar jetën e djalit të saj, ka treguar se do të shkruajë përditë letra për të kaluarën e Fatonit, duke përfshirë detaje nga rritja e tij, vuajtjet në burg dhe rrugëtimin e tij.
Nga ana tjetër, sipas familjes edhe aktori turk, i cili tashmë ka vizituar familjen e Fatonit dy herë, ka shprehur admirimin e tij për këtë histori dhe angazhimin për ta sjellë atë në mënyrë autentike në ekranin e madh.
Përveç filmit, pritet të botohet edhe një libër që do të përfshijë të gjitha detajet e jetës së Faton Hajrizit, duke e përjetësuar historinë e tij.