Deklaratë e guximshme! Dy Kuvendet në Prishtinë, Kurti: Shqipëria dhe Kosova aspirojnë bashkimin kombëtar

“Sot në Prishtinë moti është i ftohtë, por nuk ndikon në atmosferën e ngrohtë në këtë sallë ku janë bërë bashkë dy Kuvendet; i Shqipërisë dhe Kosovës”. Kështu e nisi fjalën e tij kryeministri i Kosovës në seancën e përbashkët të dy kuvendeve të mbajtur sot për herë të parë në Prishtinë.

Që në nisje të fjalimit të tij Kurti shprehu aspiratën e dy shteteve tona atë të bashkimit kombëtar dhe ruajtjen e identitetit.

“Ju të dashur deputetë përfaqësoni qytetarët e dy shteteve dhe pjesëtarët e të njëjtit komb. Dy shtetet tona janë shprehje politike e së njëjtës aspiratë për ruajtjen e identitetit dhe bashkimin kombëtar. Legjislatura e parë e Shqipërisë e njohu Kosovës në 1991”.

Teksa bëri bilancet e mbledhjeve të përbashkëta, Kurti tha se po punohet për heqjen e kontrollit në kufi gjatë gjithë vitit.

“Shpreh kënaqësi që sot kuvendet bëjnë bilancet në mbledhjet e përbashkëta qeveritare që nga mbrojtja infrastruktura shkëmbimet tregtare, turizmi energjetika, njohja e pensioneve, njehsimi i teksteve shkollore etj. Rezultatet janë të prekshme për të vijuar më tej. Shqipëria është ndër 5 vendet e para që Kosova ka vëllimet më të mëdha të shkëmbimeve tregtare. Tregu i përbashkët energjetik është funksional. Po punohet për heqjen e kontrollit në kufi gjatë gjithë vitit. Hapja e 26 vendkalimeve të reja. Kufiri mes Kosovës e Shqipërisë është si kufiri mes dy barkusheve të zemrës”.

Kurti e vuri theksin te pakicat shqiptare në rajon dhe tha se në Serbi ato janë më të diskriminuarat. Ai ftoi Shqipërinë që të ndjekë shembullin e Kosovës për sa i përket shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

“Komisionet e përbashkëta parlamentare të ndihmonin në këtë drejtim. Kemi punë përpara por edhe të ndihmojmë në jetesën e shëndetshme të shqiptarëve edhe në shtetet fqinje, në RMV dhe Mal të zi, por sidomos në Serbi. Komuniteti shqiptar në Serbi janë më të diskriminuarit në Europë. Shqiptarët nuk janë fajtor që janë autoktonë. Kemi ndarë 400 mijë euro për Luginën e Preshevës. Shpresojmë që të shërbejë edhe për Shqipërinë. Pakicat kombëtare në Kosovë janë bashkë me ne. Kosova e Shqipëria besojnë te të drejtat e njeriut, janë kontribuese të paqes në rajon dhe mbështesin proceset integruese të familjes euroatlantike”.