Boksieri shqiptar, Florian Marku, mbrëmë u arrestua në Gjermani dhe tashmë pritet të ekstradohet në Greqi.
Marku është ndaluar në shtetin gjerman për shkak të një incidenti të ndodhur shtatë vite më parë në Selanik, ku akuzohet për plagosje dhe armëmbajtje pa leje. Boksieri shqiptar nuk ka zhvilluar meç boksi qysh nga muaji mars i këtij viti.
Edhe pse në plan ishte që gjatë muajit shtator apo tetor të rikthehej në ring, Marku nuk u shfaq më. Madje as në stërvitje apo intervista.
32-vjeçari gjatë muajit mars të këtij viti, pësoi humbjen e parë në karrierën profesionale të boksit, pasi u mposht nga Chris Kongo në “O2 Arena” në Londër. Në 15 meçe sa ka zhvilluar gjatë karrierës, Marku ka shënuar 13 fitore (8 me nokaut), një humbje dhe një barazim. Nuk dihet ende se ku gjendet Florian Marku, por duket se nga Gjermania ai do të ekstradohet në Greqi.