Vokrri: Lista Serbe po humb mbështetjen e qytetarëve serbë në veri

Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, në një intervistë për emisionin COMPASS në ATV, deklaroi se banorët serbë të veriut, çdo ditë e më shumë po e humbin mbështetjen për Listën Serbe.

Ai tha prej kohësh, ata janë të zhgënjyer nga regjimi i Beogradit dhe vegla e tij politike, Lista Serbe.

“Qytetarët e veriut, shumica absolute serbë janë të zhgënjyer që një kohë të gjatë me regjimin e Beogradit dhe me instrumentin e tij që ka qenë i pranishëm këtu, Lista Serbe, bashkë me ato grupet e bandat para ushtarake e kriminale të cilat kanë bashkëpunuar ose kanë qenë pjesë e të njëjtin formacion dhe në të njëjtën kohë, me të parë kjo popullatë që prania institucionale e Republikës së Kosovës edhe në formën e sigurisë, pra Policisë së Kosovës, është për të mirën e tyre, pra nuk është për t’iu bërë dhunë as për një represion, por përkundrazi për ta shtuar sigurinë e vetë këtyre qytetarëve, sentimenti i tyre ka pësuar ndryshim radikal, ata i besojnë shumë Policisë së Kosovës”, tha Vokrri.