Maloku: Kurti duhet ta kishte kundërkandidat Konjufcën

Politologu, Albinot Maloku, ka deklaruar se kandidat më i mirë për kryeministër do të ishte kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca sesa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Mirëpo për Malokun ishte zhgënjyes fjalimi prezantues i Konjufcës për Kurtin në mbledhjen e Vetëvendosjes të mbajtur të dielën.

Ai këtë fjalim të tij e ka quajtur “elozh gërrditës”.

“Kur doli lajmi se po bëhet gara për kandidatin për kryeministër tentova ta marr seriozisht dhe po të më pyeste ndokush se kush do të ishte më i miri do të thosha Glauk Konjufca me të gjitha këto vogëlsitë e tij kam tentuar maksimalisht ta mbajë më serioz. Kam thënë se do të ishte më mirë që ta kishte një kundërkandidat, pra të ishte Konjufca kandidat për kryeministër, mirëpo nga tradita duke parë që shumë këso filma koti di ti bëjë Lëvizja Vetëvendosje për t’i bërë si formalitete dhe del që lideri absolut merr 100 përqind të mbështetësve për tu kandiduar dhe e ke këtë elozhin jashtëzakonisht të gërrditshëm në një formë ose tjetër sidomos politkisht prej një njeriu që në Kosovë është i dyti dhe i dyti të ketë këto elozhe dhe këtë elokuenc në raport me prezantimin e kandidatit për kryeministër me të vërtetë ishte përtej çdo mundësie ta marr seriozisht edhe Konjufcën në një të ardhme të angazhimit të tij politik”, ka thënë ai.

Ndryshe, të dielën Lëvizja Vetëvendosje e ka nominuar Albin Kurtin si kandidat të saj për kryeministër në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Glauk Konjufca në fjalimin e tij e ka quajtur Kurtin si më meritorin, më të përgatiturin e më të devotshmin në VV.

“Lëvizja Vetëvendosje do ta ketë kandidatin e vet për kryeministër, e ju me të drejtë pyesni se kush nga ne është më mëritori, më i përgatituri, po më i devotshëmi kush është. Ne e kemi gjetur kush është, më lejoni që para jush ta prezantoj Albin Kurtin kryeministrin e tashëm, edhe për kryemistër të ardhhëm të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.