A duhet te konsumojne mjalt ata qe jane me diabet? Dr. Shefqet Deliallisi

Pyetje : Mjalti është ushqim natyral, si i tillë është më i mirë se sheqeri ?
Disa njerëz besojnë se mjalti është më i mirë se sheqeri mbasi është ushqim natyral. Në fakt, kimikisht mjalti dhe sheqeri janë pothuajse të padallueshëm nga njeri tjetri. Mjalti përmban dy monosaharidet glukozë dhe fruktozë afërsisht në sasi të barabartë. Sheqeri gjithashtu përmban të njejtët monosaharide, të lidhur sëbashku në disaharidin sukrozë (sheqeri tavolinës). Në organizmin tonë, pas tretjes, sheqeri dhe mjalti janë identikë. Madje një lugë sheqer krahasuar me një lugë mjaltë përmban më pak kalori. Një lugë çaji glukozë përmban 13 kalori ndërsa e njejta lugë me mjaltë 22 kalori. Kjo për faktin se kristalet e sheqerit zenë më shumë hapsirë se mjaltit, që është i është i tretur në ujin që përmban.

Pyetje : Kam dëgjuar se mjalti bën mirë për diabetin, e vërtetë?
Mjalti përbëhet nga përzierje në pjesë të barabartë glukozë/fruktozë, ujë në përqindje të ndryshme, në varësi nga origjina (lloji i florës) e cila kushtëzon aromën dhe ngjyrën. Nuk është e vërtetë që mjalti ka veti shëruese, për t’u përdorur si mjekim. Mjalti nuk përmban vitamina dhe nuk ka ndonjë vlerë të veçantë, veç asaj kalorike.
Mjalti nuk duhet të përdoret nga njerëzit me diabet.

Pyetje : Edhe frutat përmbajnë sheqer, është njëlloj si të hamë sheqer ?
Është e vërtetë se sheqeri që ndodhet në ushqime, pavarsisht nëse ndodhet natyralisht apo i shtuar nga jashtë, është sheqer dhe ka efekt të njëjtë mbi organizmin. Por e vërtetë është dhe se ushqimet që përmbajnë sheqer nuk janë njëlloj të shëndetshëm apo të ushqyeshëm. Kështu një mollë përmban natyralisht sheqer (fruktozë), ndërsa një ëmbëlsirë përmban sheqer të shtuar nga jashtë. Por, kur hamë fruta nuk është njëlloj sikur hamë sheqer, ëmbëlsira të koncentruara, apo pimë kola dhe pije të tjera të sheqerosura. Frutat ndryshojnë së tepërmi nga ëmbëlsirat e koncentruara. Sheqeri i frutave është i tretur në një volum të madh uji, është i “paketuar” në fibra, dhe i përzier me vitamina dhe minerale të nevojshme për organizmin.

Pra ndryshimin më të rëndishëm ndërmjet burimeve të sheqerit nuk e përbën fakti se sheqeri është “natyral” nga mjalti apo frutat, apo i “purifikuar” sheqeri tavolinës, por fakti se është sheqer i koncentruar (mjalti dhe sheqeri tavolinës) apo i holluar (sheqeri i frutave dhe perimet).

Dr. Shefqet Deliallisi