Tashmë është zyrtare! Teksa të gjithë prisnim me padurimin nisjen e spektaklit më të ndjekur në Shqipëri, bëhet me dije se “Vëllai i Madh” do të hapë dyert e shtëpisë më të famshme më datën 21 dhjetor.
E njëjtë si dhe vitin e kaluar, moderatori i këtij edicioni të “Big Brother Vip” do të jetë sërish Ledion Liço.
Në promon e publikuar në faqen zyrtare të “Top Channel”, Ledion Liço në një moment përpiqet që të gjejë dhe një sinonim për fjalën “Yje”, me të cilën do t’i drejtohet VIP-ave. Por pyetja që na lindi sapo pamë këtë video është: “Pse Ledioni po përpiqet të gjejë tani një sinonim për fjalën “Yje”?”
Apo, mos vallë ka të bëjë me faktin se moderatorja Arbana Osmani ia ka vendosur titullin podkastit të saj “Mirëmbrëma Yje?”. Një përgjigje tani nuk e kemi, por s’mund të qëndronim pa e vënë në dukje këtë fakt!
Kujtojmë se pak ditë më parë u bënë publikë dhe emrat e opinionistëve të cilët do të jenë këtë edicion në ekranin e Top Channel. Arbër Hajdari kthehet për të katërtin vit radhazi në poltronin e opinionistit dhe risia këtë herë është Neda Balluku, së cilës po ashtu i besohet ky rol i rëndësishëm.
Më herët u bë me dije se ky Big Brother Vip do të vijë me supriza. Përveç banorëve VIP, pjesë e këtij edicioni do të jenë edhe njerëz të thjeshtë, të cilët dëshirojnë që të ndajnë historitë e tyre.