S’pati kundërkandidat, Kurti publikon video nga tubimi i djeshëm i VV’së: U përzgjodha përmes votimit

Kryeministri Albin Kurti ka publikuar një video nga mbledhja e djeshme e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ku u zgjodh kandidat i këtij subjekti politik për kryeministër në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Në fillim të videos së publikuar në Facebook, dëgjohen thirrjet “Kurti” dhe duartrokitjet e anëtarëve të partisë. Mbi të, Kurti shkroi se në garën ku ishte i vetëm, u “përzgjodh përmes votimit”.

“Dje kishim mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, në të cilën mbledhje u përzgjodha përmes votimit për të qenë kandidat për Kryeministër nga radhët e subjektit tonë. Gjatë këtij mandatë plotë e të parë 4 vjeçar në historinë e vendit tonë ne kemi bërë shumë punë të mira e ju kemi përgjigjur me vendime të duhura shumë sfidave. Përtej këtyre edhe shumë e shumë punë të mira na presin përpara”, shkroi Kurti.

“Me qeverisje të mirë, demokratike dhe autonome, shteti është bërë e do të bëhet përherë e më i pasur e më i fortë, më sovran e më i drejtë”, shtoi ai.

Kurti ishte i vetmi në parti që është paraqitur për t’u bërë kandidat për kryeministër.

Kryesuesja e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, Arbërie Nagavci tha se të gjithë të pranishmit votuan pro kandidaturës së Kurtit.

“Edhe pse deklarimet e të gjithëve ishin për, jam e detyruar të pyes a ka abstenim ose a është dikush kundër”, tha ajo.