Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mbajtur fjalimin e tij në një organizim të Shoqatës së Intelektualëve të Pavarur “Krug 99” në Bosnje e Hercegovinë.
“N1” boshnjak raporton se Kurti nga atje ka thënë se ka shkuar në Sarajevë si “mik dhe partner”. Mes tjerash, ai u shpreh se Kosova “i ka borxh Bosnjës”.
“Sarajeva është gjashtë orë larg nga Prishtina, por për të ardhur këtu, na është dashur të kalojmë barrier të kufizimeve të vizave. Ju sjell të fala nga Kosova, një mik të cilit i është mohuar miqësia për një kohë të gjatë. Ne kemi vendosur që ta zbatojmë marrëveshjen për lëvizje me letërnjoftim. Bosnja dhe Kosova janë të lidhura jo vetëm përmes historisë, por edhe nga një e kaluar e dhimbshme dhe tragjike. Në shumë mënyra, Kosova i ka borxh Bosnjës. Më së shumti, për shkak të tmerreve që bota pa në Bosnjë e Hercegovinë, e që më pas u parandaluan në Kosovë.NATO ndërhyri në Kosovë në vitin e dytë të luftës, për shkak të Srebrenicës.” – ka thënë Kurti, transmeton Nacionale.
Derisa Kurti parashihej që fillimisht të udhëtonte në Bosnjë për Samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, por që më pas i njëjti u anulua, ai ka thënë se “nuk ka mundur ta anulojë vizitën” e tij.
“Samiti u anulua, por unë nuk mund ta anuloja vizitën në Sarajevë. Para se të vazhdoj, më lejoni t’ju rikujtoj që nëse bëj ndonjë gabim në të shprehur, iu kërkoj falje paraprakisht. Në shkollën fillore, e mësova gjuhën serbo-kroatishte nga një mësimdhënës malazez.” – ka thënë ai.