“Patriotizmi elektoral është patriotizëm me bateria” – Molliqaj thotë se fjalimi i Konjufcës ishte inskenim i dobët

Kreu i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, e ka quajtur fushatë fjalimin e kryeparlamentarit Glauk Konjufca në Kuvendin e Kosovës.

Sipas Molliqajt, Lëvizja Vetëvendosja do ta shfrytëzojë Serbinë si fushatë, për t’i mbuluar projektet e munguara gjatë katër viteve qeverisje.

“Serbia si fushatë Serbia e zgjedhjeve është Serbia e Vetëvendosjes. Serbia është aset për projektet e munguara. Serbia është mjet për të shpallur armiq poshtë e lart. Konflikti me Listen Serbe sot ishte një inskenim i dobët. Ndërkohë që s’kanë përgjigje për teatrin në grevë, kanë zgjedhur t’bëjnë shfaqje e filma vet. Konjufca e bëri sot një simulim elektoral”, thuhet në postimin e Molliqajt në Facebook.

Sipas Molliqajt, Glaukut i përshtatet shprehja popullore “Patriot me bateria”.

“Ka 18 muaj që deputetët e Listës Serbe nuk janë Kuvend. Ata thjesht janë nënshkruar çdo 6 muaj për t’i marrë pagat. Por Glauku na u paska aktivizu vetëm sot, 2 muaj para zgjedhjeve. “Patriot me bateria”, – kjo është shprehja popullore për atë që me fjalë hiqet si trim me fletë. Patriotizmi elektoral është patriotizëm me bateria”, thuhet në postimin e tij.