Dërguti: Lista Serbe nuk ka bërë asgjë tjetër vetëm se e ka kopjuar Lëvizjen Vetëvendosje

Aida Dërguti, ish-deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se Lista Serbe është duke e kopjuar ish-partinë e saj, LVV-në.

Dërguti ka deklaruar se Lista Serbe është duke vepruar sikurse Lëvizja Vetëvendosje në kohën sa ishte në opozitë. Madje, sipas Dërgutit mënyrën e bojkotimit të seancave Lista Serbe “e ka mësuar” nga LVV-ja.

Ajo ka thënë se deputet e LVV-së në të kaluarën kishin vepruar sikurse Lista Serbe sot duke e bojkotuar kuvendin për rreth 6 muaj.

“Ky lloj bojkoti opozitar ka filluar prej nesh në atë kohë kur kemi qenë në opozitë. Pra Lista Serbe nuk ka bërë asgjë tjetër vetëm se e ka kopjuar Lëvizjen Vetëvendosje, diçka që e kemi përdor si mjet opozitar – bojkotimin e kuvendit në afat prej 6 muajsh kur kemi shku jemi paraqitur njëherë për të mos e humbur mandatin dhe përsëri e kemi vazhduar mandatin. Ky ballafaqim është më shumë me motive elektorale pasi që Lista Serbe tash e dy vite bojkoton kuvendin”, ka thënë Dërguti duke iu referuar veprimeve të kryeparlamentarit Konjufca.