Çështja e furnizimit me ushqim për Forcën e Sigurisë së Kosovës ka qenë njëra ndër temat që e ka përplasur opozitën me partinë në pushtet. Për këtë çështje, sot është deklaruar sërish ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili tha se ushtarët asnjëherë s’kanë mbetur pa ushqim.
Sipas tij, kjo çështje është banalizuar, por që përkundër vështirësive që kanë hasur, sërish ka pasur furnizim me ushqim.
“Asnjëherë nuk kemi pasur mbetje të ushtarëve pa bukë. Në asnjë moment, në asnjë rast, ushtarët e Kosovës nuk kanë mbetur pa ushqim. Kjo çështje është banalizuar.
”Maqedonci tha se sulmi në kanalin e Ibër Lepencit ka dëshmuar “rëndësinë që ushtria të ketë vetë qëndrueshmëri në ushqim”.
Pas ministrit Maqedonci, ka folur deputeti Abelard Tahiri, i cili tha se skandalin për ushqimin e kanë marrë vesh nga gjenerali Bashkim Jashari.
“Skandalin sa i përket cështjes së ushqimit në ushtri nuk e kemi zbuluar ne, jemi njoftuar nga gjenerali Bashkim Jashari që ka kërcënu me pezullim të të gjitha aktiviteteve ushtarake nëse nuk rregullohet cështja e ushqimit. Këtu jemi njoftuar ne me mungesën e ushqimit në FSK.
”Ai tha se cështja e ushqimit nuk është banalizuar nga askush.
“Nuk mundesh me qujtë banale letrën e gjeneralit Bashkim Jashari”, tha ai.