Ky është personi që mashtroi Enver Petrovcin, ia premtoi 18 mijë euro për shfaqje

Një javë më parë, emisioni investigative Piranjat, transmetuan historinë e aktorit kosovar, Enver Petrovci, i cili pretendonte se ishte mashtruar nga Indrit Picalli, i njohur edhe si Eni Picalli, i njejti person problematik për të cilin bëri denoncim edhe koreografi Dritan Brama disa javë më parë.

Mashtrimi ndaj Enver Petrovcit konsiston në mos-pagesën e disa shumave, lidhur me disa projekte teatrale, shuma që në total kapin vlerën e 18 mijë eurove.

Më pas, ai u mashtrua edhe me një email fals të cilin pretendon se e ka krijuar Eni Picalli. Pas një kohe të gjatë kur Enver Petrovci kuptoi se nuk do të paguhej asnjëherë, bëri denoncim në Policinë e Tiranës dhe më datë 14 nëntor, Indriti u shoqërua në Polici ku dha sqarimet e tij lidhur me situatën.

Sipas Picallit, Enver Petrovci lidhur me projektin “Pasaporta“, nuk duhet të marrë asnjë lekë, pasi e ka dhuruar tekstin. Mirëpo nëse kujtojmë bisedën që Eni ka bërë me mikun e Enverit kohë më parë, kur i thotë se ”do ia jap Enverit paratë avash-avash“, kuptojmë se po gënjen. Pa harruar edhe mesazhet e pafundme të Enverit, ku i kërkon paratë e projektit “Pasaporta“, që nëse do ia kishte dhuruar, logjikisht s’do të kishte pretendime.

Mirëpo sipas Enit, Enveri është mashtrues pasi ai sabotoi shfaqjen e projektit tjetër “Adrianës“, ndërkohë Piranjat publikuan shumë mesazhe në të cilat shiheshin qartë ankesat e Petrovcit për aktoren e re Altea Alushi. Lidhur me këtë projekt, Eni ka marrë gjysmën e fondit, por nuk i ka dhënë asnjë lekë Enverit, duke pretenduar se Petrovci duhet të japë shfaqjen, ndërkohë premiera është bërë dhe siç parashikohet në kontratë, pagesa bëhet 15 ditë para premierës.

Lidhur me sajesën e email-it me emrin Erjola Bektashi, gruas që iu tha Enverit se punon në Thesarin e Shtetit, Eni mohon të ketë dijeni duke pretenduar se “këto janë skemat që përdor Enver Petrovci“.

Piranjat publikuan një mori mesazhesh të shkëmbyera mes artistit Kosovar dhe Indrit Picallit, që tregojnë qartë se ky i fundit jo vetëm ka dijeni për personin e quajtur Erjola Bektashi, por madje ka shkruajtur në emër të Enverit një mesazh drejtuar asaj, ku kërkohen pagesat e pamarra.

Nga ana tjetër, aktori i kërkon email-in e zonjës dhe Indriti menjëherë ia dërgon, ndërsa gazetarit Freard Rista i tha që nuk e njeh fare dhe është skemë e krijuar nga Enveri, i cili më pas i kërkon Enit edhe numrin e telefonit të Erjolës, si dhe adresën e zyrës së saj, por Picalli i përgjigjet se numrin nuk ia disponon, ndërsa adresa ndodhet diku pas 9-katësheve në Tiranë. Madje ai vetë ka qenë aty dhe ka marrë informacione se zonja Erjola ka qenë me leje.

Gjatë ballafaqimit me gazetarin Rista, ndërsa dukej sikur tonet ishin më të zbutura, papritur biseda merr një kthesë të papritur.

“Ju do shkoni penalisht ore. Ti s’e ke idenë, juve ju pret dosja. Ti bën investigime që ti nuk fakton dot gjërat. Se ti edhe te emisioni i parë…transmetoji këto tranmetoji…se do ju kërkojë material prokuroria juve”, thotë ai.

Mirëpo, sa për investigimin, si në rastin e koreografit Tan Brama, ashtu edhe në atë të aktorit dhe regjisorit Enver Petrovci, Piranjat kanë faktuar se Picalli parësore ka mashtrimin, pavarësisht se me sa duket ende nuk i ka mbaruar të gjithë argumentat e pretenduara, ndaj u ftua në zyrat e Piranjave të jepte të gjitha argumentet dhe pretendimet që kishte.

“Do vi me kënaqësinë më të madhe. Do t’i faktoj unë do marr edhe dosjen atje në Prokurori se është dhe koha dhe nuk është se i kam”, u shpreh ai.

Dhe Eni e mbajti fjalën. Kështu nisi ballafaqimi me dokumente për çdo mohim të tijin lidhur me pretendimet e Enverit. Sa i takon projektit “Pasaporta”, në takimin e parë Eni tha se do të faktonte që Enveri në këtë projekt nuk përfiton asnjë lloj fondi pasi e kishte dhuruar tekstin. Por në fakt dokumenti që paraqiti ishte thjesht një konfirmim, autorizim nga ana e Enverit që vepra e tij të vendosej në skenë, pa thënë në asnjë moment se kjo është një dhurim.

“Unë atij do i jepja diçka nga ana ime. Ajo mund të ketë qenë një shumë rreth 1000 euro, diçka e tillë. Ka qenë për shkak se ne po punonim dhe për shkak të sëmundjes”, thotë Picalli.

Në bisedë përmes telefonit na u bashkua edhe profesor Bujar Kapexhiu, i mirëinformuar për gjithçka lidhur me këtë ngërç mes Enit dhe Enverit.

“Nuk është bukur kur e ke përballë sepse ai vetëm gënjen. Unë kam qenë në atë shfaqje, ka patur njerëz në atë shfaqje që e kanë parë, madje ne kemi dhe filmime nga ajo shfaqje. Unë nuk e di, nuk e kuptoj si e quan ai, ne kemi shkuar për të parë premierën e shfaqjes së Enver Petrovcit”, u shpreh Kapexhiu.

Lidhur me sajesën “Erjola Bektashi“, Eni u vu me shpatulla pas murit pas fakteve, ndërkohë që telefonin e Picallit e ka sekuestruar Policia, për ta zbërthyer dhe për të hedhur dritë mbi gjithë pikëpyetjet e kësaj skeme të dyshimtë që ai ka krijuar.