Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është pyetur nga emisioni Hardtalk i BBC-së nëse ekziston një rrezik real për një luftë mes Serbisë dhe Kosovës.
Në përgjigje të kësaj pyetjeje, Vuçiq ka deklaruar se Serbia nuk po provokon askënd dhe nuk ka ndërmend ta bëjë këtë as në të ardhmen.
Pavarësisht tensioneve të vazhdueshme mes dy vendeve, ai theksoi se qëllimi i tij është të mbajë marrëdhënie normale me të gjithë në rajon.
“Fokusi im i vërtetë është te reforma ekonomike. E ardhmja është ajo që ka rëndësi për mua, dhe thjesht dua të kem marrëdhënie normale dhe të rregullta me të gjithë në rajon. Kjo është e gjitha,” ka theksuar Vuçiq.
Në vijim të intervistës, presidenti serb duket se është acaruar me pyetjen për Kosovën.
“Kjo është ajo ku jam fokusuar. Ti më ktheve në të kaluarën sepse duhet të bësh disa diskutime të vështira, dhe kjo është e drejtë,” ka shtuar ai.
Vuçiq përfundoi duke theksuar se nuk ka asgjë kundër diskutimit mbi këtë temë, pavarësisht tensioneve që ekzistojnë.