“Me leje” po ndërtohet mbi varrezat ilire – A mund të ndërhyjë Qeveria për t’i ndaluar punimet?

Kompania “Golden Art” nga Shkupi, po vazhdon ndërtimin e banesave mbi varrezat ilire në Shkup. Nga Komuna e Karposhit thonë se leja për ndërtim është dhënë me vendim të Këshillit në vitin 2021, para se të gjendej pllaka me mbishkrimin “Dardanus”, e që më pas u kuptua se aty është vend arkeologjik.

Por a ka gjasa që Qeveria të ndërhyjë për të ndërprerë punimet? Zv/kryeministri Izet Mexhiti tha se është ngritur si çështje dhe do e shohin se si mund ta ruajnë trashëgiminë e këtij vendi.

Ndërkohë është bërë dita e katërt ku po kërkojmë përgjigje nga Ministria e Kulturës, se pse është lejuar puna në këtë zonë. Çfarë ka ndërmarrë Ministria e Kulturës për ta mbrojtur dhe a vlerësojnë nëse është dëmtuar një hapësirë me vlera arkeologjike dhe historike e Maqedonisë? Edhe sot nuk morëm asnjë përgjigje.