“Një mik i shqiptarëve në krye të CIA-s”/ Ky është një shans historik për Kosovën

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka nominuar edhe John Ratcliffe si drejtor i ri për të udhëhequr CIA-n.

Shefi i ri i CIA, John Ratcliffe është një nga miqtë e mëdhenj të shqiptarëve dhe njihet për lidhje të forta me komunitetin shqiptaro-amerikan, gjë e cila ka shqetësuar menjëherë shtetin serb.

Por analistë dhe njohës të sigurisë, thonë se ky është një lajm i mirë për shqiptarët dhe rajonin në përgjithësi, pasi Ratcliffe ka tashmë njohuri për zhvillimet në Ballkan. Madje sipas tyre, Kosova nuk mund ta humb shansin historik që t’i përmbyllë disa çështje madhore me rëndësi jetike për të ardhmen e vendit.

Shans historik për shqiptarët

Faton Bislimi

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherit aktivist shumë vjeçar i çështjes kombëtare në SHBA, Faton Bislimi, për gazetën “Bota sot” thotë se Ratcliffe ka qenë në vazhdimësi i njoftuar me kauzën shqiptare.

“Përzgjedhja e z. Ratcliffe në pozitën e Shefit të CIA ndoshta është edhe emërimi më i pritur nga Presidenti Trump, për shkak të së kaluarës së z. Ratcliffe, i cili në mandatin e parë të z. Trump ishte Shef i Inteligjencës Kombëtare. Normalisht, për shqiptarët është lajm i mirë ngase z. Ratcliffe sa ka qenë Kongresist nga Teksasi është njoftuar mirë me kauzën tonë përmes miqve të tij shumë të afërt në Dallas–përfaqësuesve të komunitetit tonë atje, si z. Ismet Smajli për shembull”, shprehet Bislimi për “Bota sot”.

Sipas tij, Kosova ka humbur një shans historik me administratën Biden, gjë e cila nuk mund të ndodhë edhe me administratën e re Trump.

“Tash, ne duhet edhe ta kuptojmë edhe ta mirëkuptojmë pozitën e re të z. Ratcliffe ngase përgjegjësia e tij zyrtare tanimë do jetë shumë më e madhe. Por, fakti se ai është dëshmuar si mik yni është gjithsesi pozitive dhe vlerësoj se na ndihmon. Tani barra bije mbi ne si Kosovë që të etablojmë siç duhet marrëdhëniet tona me SHBA-të nën udhëheqjen e z. Trump. Frikoj se kemi humbur një rast historik me z. Biden, dhe tanimë nuk duhet të lejojmë assesi të humbim mundësinë e radhës me z. Trump për t’i përmbyllur disa çështje madhore që po i rrinë rëndë mbi super vendit tonë”, shton Bislmi.

Ai thotë se Kosova çdo herë duhet të jetë në linjë me interesat gjeopolitike amerikane.

“Unë kam thënë në vazhdimësi dhe e po e përsërisë: karshi Amerikës ne duhet të jemi unik dhe në linjë me interesat gjeostrategjike dhe gjeopolitike të tyre. Prandaj, duhet ta ruajmë e sforcojmë marrëdhënien tonë me SHBA-të sikur sytë e ballit”, përfundon ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherit aktivist shumë vjeçar i çështjes kombëtare në SHBA, Faton Bislimi.

Ratcliffe, një mik i dëshmuar i shqiptarëve

Bedri Elezi

Kurse eksperti i sigurisë, Bedri Elezi për gazetën “Bota sot” thotë se emërimi i John Ratcliffe si shef i ri i CIA-s, padyshim është i një rëndësie historike për shqiptarët dhe rajonin në përgjithësi.

“Ardhja e John Ratcliffe në krye të CIA-s, mund të them se është lajm shumë i rëndësishëm për sigurinë në përgjithësi, e sidomos për sigurinë në gadishullin ballkanik, e veçanërisht mund të them për popullin shqiptar, marr parasysh se zotëri Ratcliffe është një mik i dëshmuar i shqiptarëve, njeri i cili njeh mirë çështjet tona të hapura, si ato në Kosovë, Shqipëri dhe rajon, si ashtu edhe duke konsideruar faktin se i njëjti ka një përvojë të jashtëzakonshme në këtë fushë, ka një lidhje të mirë me gjithë lobistët te të cilët kanë kryer lobime në aspektin e sigurisë për gadishullin ballkanik, si dhe gatishmërisë së qeverisë amerikane dhe presidentit Trump për të sjellë sigurinë në gadishullin ballkanik, apo për t’i dhënë fund rreziqeve për luftëra në këto zona”, shprehet Elezi.

“Atëherë me të drejtë mund të konstatojmë se i emëruari në krye të CIA-s është personi më i duhuri dhe mund të themi se i njëjti do të zbatojë të gjitha planet e departamentit amerikan sa i përket çështjes së Kosovës, posaçërisht marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, shton Elezi për “Bota sot”.

Sipas tij, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë mund të shkojë drejt përmbylljes dhe arritjes së një marrëveshje përfundimtare mes dy vendeve.

“Ne duhet ta kemi parasysh faktin se ishte pikërisht Donald Trump ai i cili kishte organizuar një takim mes presidentit të Serbisë dhe ish kryeministrit të Republikës së Kosovës, ku kishin nënshkruar një marrëveshje dhe ishin zotuar për projekte në fushën e ekonomisë, të cilat projekte do të lehtësonin komunikimin mes dy vendeve dhe gjithashtu do të ndihmonin në çështjet të cilat kanë të bëjnë me ekonomi, e të cilat janë realisht tepër të rëndësishme sa i përket çështjeve politike mes dy vendeve. Kjo marrëveshje e nënshkruar mes dy politikanëve po aq sa ishte e rëndësishme mund të themi në aspektin ekonomik, ashtu edhe në aspektin e sigurisë sepse do të krijonte më shumë komunikime, bashkëpunime dhe kështu do të hapte rrugë për një marrëveshje ndoshta përfundimtare politike mes dy vendeve dhe detyrimisht do të largoheshin nga zhvillimet në aspektin e sigurisë, e posaçërisht Serbia do të shkëputej nga planet e saj për ndryshimet e kufijve apo mund të themi për të cenuar sovranitetin e Republikës së Kosovës”, deklaron Elezi, sipas të cilit, drejtori i ri i CIA-s ka një marrëdhënie të shkëlqyer me vendet e Bashkimit Evropian, të cilat luajnë një rol kyc për të ardhmen dhe sigurinë e Kosovës.

“Në këtë rast më lejoni të theksoj se zoti Ratcliffe ka edhe një marrëdhënie të mirë me udhëheqësit e vendeve fqinje, po ashtu ka një mundësi dhe kapacitet për të ushtruar të gjitha kompetencat e SHBA-vë që ka për bashkimin evropian dhe gadishullin ballkanik, njëkohësisht ka marrëdhënie të shkëlqyera edhe me udhëheqës të vendeve të Bashkimi Evropian, të cilët kanë një rol të rëndësishëm në çështjet që kanë të bëjnë me Kosovën”, thekson Elezi.

Ashtu si Bislimi, edhe Elezi thotë se Kosova duhet të shfrytëzojë rastin historik që ka tani para vetes.

“Ne besojmë fuqishëm se ky rast është rast i shqiptarëve dhe i Kosovës, dhe duhet që politikanët e Kosovës të shfrytëzojnë këtë mundësi apo të kenë në mëndje shfrytëzimin e gjitha lidhjeve që ka një shef i CIA-s me gjithë vendet fqinje, Bashkimin Evropian si dhe ndikimin që ka te presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ne mbesim me shpresë që kjo është koha e shqiptarëve dhe këtë do ta shfrytëzojmë gjithsesi”, përfundon për “Bota sot”, eksperti i sigurisë, Bedri Elezi.