Mos vallë Rama e ka motiv dëbimin e shqiptarëve nga Shqipëria?!

Shkruar nga Spartak Ngjela

Shqiptarët po vijojnë të largohen drejt Perëndimit për emigracion ekonomik. Ata janë të trembur nga niveli i ulet i jetesës që u imponohet në Shqipëri.

I.

Dhe shqiptarët sot, pikërisht me këtë motiv, janë larguar e po largohen nga Shqipëria. Sigurisht që ata ndihen të fyer që po largohen nga atdheu i dashur, por këtë e kanë nevojë për jetën, sepse gjendja ekonomike në Shqipëri nuk i përkrah për një jetë me mirëqenie ekonomike.

Dhe kjo, sigurisht që është morale, sepse jeta në thelb është kërkesë për siguri ekonomike. Por, pikërisht për këtë, çfarë po ndodh në një vend si Shqipëria ku paga minimale është 40 mijë lek?

Dhe tani dihet se, është kjo pagë kaq ulët që po e rrit shumë kërkesën për largim e shqiptarëve nga Shqipëria. Varfëria e imponuar po i detyron shqiptarët sot të largohen nga Shqipëria. Dhe kjo nuk është vepër vetëm e paaftësisë së kësaj qeverie, sepse kjo gjendje ekonomike është sot një proces 30 vjeçar që po vijon.

Zotërinj, varfëria ekstreme është gjëmë për një shoqëri!

II.

Prandaj sot është një e vërtetë absolute që varfëria është arsyeja psikologjike që shqiptarët po ikën nga Shqipëria për të gjetur mirëqenien ekonomike, por duhet ta theksojmë se këta të emigruar larg Shqipërisë, në fakt, kanë humbur lirinë shpirtërore.

Por, a mund të ketë lumturi pa lirinë shpirtërore!

Askund nuk është më mirë se në atdheun tënd.

Por është psikoza e varfërisë që përmendëm, e cila i shtyn individët ta kërkojnë fatin në dhe të huaj, sepse varfëria e imponuar në Shqipëri për ta është e padurueshme.

Dhe sigurisht që kjo varfëri është e imponuar.

Prandaj dhe shqiptari ka emigruar në Perëndim masivisht.

Dhe atje kuptohet se ai e ka humbur jetën aktive, miqësinë shqiptare të krijuar që nga lindja; ka humbur fisin dhe psikologjinë shqiptare; dhe nuk e përdor dot gjuhën shqipe.

Dhe shqiptarët e emigruar e ndiejnë së brendshmi këtë, se kanë një ngërç nëpër biseda, por vonë e kuptojnë që, të gjithë këtë vakum shpirtëror ua ka sjellë mungesa e komunikimit në gjuhën shqipe, pasi janë larguar nga atdheu i tyre.

Dhe këtë e vuajnë.

Por, sikurse e thashë, është varfëria ekstreme në Shqipëri që po i shtyn shqiptarët për të kërkuar punë në Perëndim. Dhe ky është shkaku.

Po varfëria e rëndë ngase vjen në Shqipëri?

Kjo varfëri është vepër e paaftësisë së të gjitha qeverive që kanë kaluar në këta 30 vitet e fundit në Shqipëri.

III.

Po psikologjia e largimit të shqiptarëve nga Shqipëria, a do të vijojë?

Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje na duhet të theksojmë se largimi i shqiptarëve nga Shqipëria, nuk është një motiv i përgjithshëm si dobësi e mendjes njerëzore. Jo, kjo nuk është dobësi, por është nevojë ekstreme për mbajtjen e familjes larg një varfërie të drobitur.

Sepse kjo është një varfëri që të heq mundësitë e jetës familjare, që ajo të vijojë në një normalitet ekonomik.

Prandaj…

Në këtë raste na duhet ta theksojmë që çështjen e largimit aktual të shqiptarëve nga Shqipëria e kemi për faktin se në Shqipëri rrogat janë ende të ulëta. Dhe kjo është arsyeja ekonomike, e cila është edhe një arsye morale.

IV.

Shqiptarët e dinë që në Perëndim paguhet shumë më mirë se ne Shqipëri, ja, ky është fakti i vërtetë që i detyron ata të largohen nga Shqipëria.

Po arsyeja ekonomike, a mund të rregullohet në funksion të rrogave të cilat sot në Shqipëri janë 40 mijë lek në muaj? Jo, me këto rroga nuk mund të mendohet jeta familjare.

Por, a mund të vendoset me ligj që minimumi pagës në Shqipëri të jetë 100 mijë lek?

Ja, kjo është pyetja kryesore që duhet të ngrihet përpara qeverisë shqiptare sot.

A është në gjendje aftësie kjo qeveri që t’i çojë rrogat me ligj në minimumin prej 100 mijë lek, domethënë në 1000 euro në muaj?

Të gjitha mundësitë janë, por qeveria Rama nuk po kuptohet se përse nuk e ngre minimumin me ligj deri në 1000 euro në muaj, për pagën minimale të shqiptarëve.

E pra, pse nuk i ngre pagat deri në këtë limit?

Mund të ketë edhe arsye të tjera, por ne kemi të drejtë të dyshojmë dhe të pyesim: mos ndoshta kryeministri i Shqipërisë Rama sot e ka si motiv dëbimin e shqiptarëve nga Shqipëria?!

Ja, kjo është pyetja thelbësore përballë krizës që po kalon sot Shqipëria.