Diana ndërpret rrugëtimin në Big Brother VIP Kosova, lë shtëpinë

Një moment prekës dhe emocional ka ndodhur në shtëpinë e Big Brother VIP Kosova 3, ku konkurrentja Diana Tahiri ka vendosur të largohet nga gara.

Vendimi i saj erdhi pas një situate të rëndë familjare që i është bërë e ditur gjatë vizitës së motrës së saj, Adrianës, në spektaklin e të hënës.

Motra e Dianës e ka njoftuar për gjendjen e përkeqësuar shëndetësore të babait të tyre, i cili është i shtrirë në spital në Norvegji pas problemeve me zemrën. Ky lajm tronditës e ka prekur thellësisht Dianën, e cila pas disa momenteve reflektimi ka vendosur të kontaktojë babain e saj përmes një telefonate në shtëpinë e BBVK. Diskutimi mes tyre ka qenë vendimtar për të marrë këtë hap.

Pas bisedës me babain, Diana e ka ndarë vendimin e saj me banorët, duke i informuar se do të largohet nga shtëpia dhe do të ndërpresë rrugëtimin e saj në mes.

Ajo e ka bërë të qartë se dëshiron të jetë pranë familjes në këtë moment të vështirë.

Largimi i Dianës ka prekur jo vetëm banorët e shtëpisë, por edhe publikun, i cili ka ndjekur këtë moment emocional. Fansat dhe ndjekësit e saj kanë shprehur solidaritet dhe mbështetje në rrjetet sociale, duke i uruar forcë dhe shërim të shpejtë babait të saj.

Përgjatë qëndrimit në shtëpinë e Big Brother VIP Kosova, Diana u shqua si një prej banorëve model për sjelljen dhe karakterin e saj, teksa gjatë këtij rrugëtimi krijoi edhe një lidhje me konkurrentin tjetër të shtëpisë, Arionin, për të cilin familja duket se nuk kanë qenë dakord.