E humbi kontrollën Peci: Duroni horra e krimineIa deri nesër

Ministri i Bujqësisë thotë se po i vështron me kujdes akuzat e opozitës pasi u mor vesh se ky dikaster i dha grant rreth 100 mijë eurosh vëllait të deputetes së LVV-së, Fitore Pacolli.

Faton Peci i quajti “shthurrje mentale” akuzat e partive opozitare se ai e favorizoi vëllain e deputetes.

“Siç edhe ua kam bërë me dije në fillim të mandatit, nuk mundeni me më ndalë as me ujë e as me plumba! Po e vështroj me kujdes shthurjen mentale të akuzave e shpifjeve!”, shkroi ai fillimisht në një postim në Facebook.

Duke komentuar kërkesën e PDK-së për shkarkimin e tij nga posti i ministrit, Peci i quajti “kriminela” zyrtarët e dy partive më të mëdha opozitare.

“E nisi sulmin paterica e PDK-së, LDK ja e bitisi PDK-ja me kërkesa për shkarkime! Veç pritni kriminela!”, shkroi ai.

Ministri tha se deri tash ka treguar “etikë në të shprehur”, ndërsa paralajmëroi se kjo do të ndryshojë.

“Nëse deri tash kam treguar etikë në të shprehur, nga tash e tutje do flas më hapur se asnjëherë tjetër e do t’iu demaskoi si kurrë më parë! Secili sulm i juaji është i kuptueshëm sepse suksesi në sektorin e bujqësisë e ndryshimi është aq radikal sa që vështirë është të përpihet nga ju! Bile ky ndryshim radikal ju tmerron sepse nuk mund ta imagjinoni që instalacioni kleptomaniak i qeverisjes suaj më nuk ekziston. Është përtej realitetit tuaj meritokracia si bazë e parim!”, shkroi ai.

Peci tha se nga nesër, do ta shpërfaqë “pafytyrësinë e kriminalitetin” e zyrtarëve opozitarë, të cilët i quajti “horra”.

“Andaj, durim horra se nga nesër, çdo ditë do ta shpërfaqi pafytyrësinë e kriminalitetin tuaj me emra”, shkroi ai.