Ilir Meta ka rrëfyer detaje nga jeta e tij në paraburgimin e “313”-ës në Tiranë, teksa ka shpjeguar edhe pse nuk ka pranuar të transferohet në burgun e Fierit.
Kreu i Partisë së Lirisë ka treguar se si e kalon kohën e lirë në qeli, në një intervistë për gazetaren Erla Mhilli.
Intervista e Metës:
A mund të na flisni pak për kushtet tuaja në burg? Si është një ditë e juaja tek “313”-ta? Qëndroni vetëm në dhomë?
Dita ime është e mbushur kryesisht me lexime, shënime, kujtime dhe me letra që u shkruaj kolegëve, miqve e të afërmve dhe po kështu duke lexuar letrat e tyre.
Po qëndroj vetëm, por nuk ndihem vetëm. Ndërkohë bëj ushtrime të ndryshme stretching, etj.
Akuzoheni për korrupsion për tre raste, pastrim parash dhe mosdeklarim dhe fshehje pasurie, a i druheni faktit që mund të kaloni një kohë të gjatë në burg për këto akuza?
Nuk ka asnjë akuzë zyrtare të ngritur ndaj meje. Çdo gjë bazohet vetëm në hamendësime dhe në deklarata dhe kallëzime të personave të inkriminuar dhe me probleme me drejtësinë.
Po jua përsëris që nuk kanë asnjë akuzë, asnjë prove apo fakt penal kundër meje, prezumohem i pafajshëm dhe në këto kushte dënimi ekziston vetëm në mendjet perverse të atyre që e ideuan dhe ekzekutuan këtë plan rrëmbimi politik për të përjetësuar Shqipërinë si koloni të Sorosit dhe mafias ndërkombëtare.
Në një intervistë tjetër ju keni deklaruar se keni patur mundësi por edhe oferta për t’u larguar. Nga kush i keni patur këto oferta?
Po është shumë e vërtetë që njerëz të regjimit dhe SPAK-ut prej një viti më kanë sugjeruar, jo për të më ndihmuar mua, por për të më shmangur nga aksioni opozitar dhe patriotic.
Kjo provohet me faktin që pas refuzimeve të mia edhe publike, ata aktivizuan një proces fals për të më rrëmbyer dhe izoluar nga opozitarizmi siç e shpjegova më lart.
Ju, pra LSI në zgjedhjet e fundit keni marrë rreth 107.5 mijë vota (dhe 4 mandate). Me ju në arrest në burg, a i druheni faktit që ky votues mund të kalojë majtas? E bëj këtë pyetje sepse në thelb ata votues janë të majtë e si rrjedhojë janë më të prirur të shkojnë majtas se djathtas.
Partia e Lirisë do të arrijë një rezultat shumë premtues.
Ky rrëmbim do t’u kthehet në boomerang atyre që e realizuan dhe bashkëpunëtorëve të tyre.
Lidhur me partiçkat që paskan fituar pëlqyeshmëri janë thjesht produkte njëpërdorimshme të “Rilindjes” me qëllim krijimin e perceptimeve për përçarjen e opozitës.
Ato janë thjesht shashka si G99 që bëjnë zhurmë por zero politikë.
Ju jeni ndër politikanët më të vjetër në këto 34 vite demokraci. Si mendoni se do konfigurohet skena politike me ju brenda në burg dhe partitë e reja që duket se po marrin pëlqyshmëri. Si e parashikoni ju Majin 2025?
Edhe arrestimi i Z. Berisha si lider i PD edhe rrëmbimi im politik janë pjesë e një skenari të vetëm, atij të tjetërsimit të vullnetit politik të shqiptarëve dhe shkatërrimit të opozitës së vërtetë, për të garantuar pandëshkueshmërinë e Qeverisë më të korruptuar në kontinent.
SPAK është një kobure në duart e regjimit i cili është i pashpresë.
Me kë flisni më shpesh gjatë këtyre ditëve përmes kabinës telefonike?
Duhet të dini që numri i personave që mund të kontaktoj është shumë i kufizuar (vetëm 13), krejt i pamjaftueshëm duke patur parasysh statusin tim, si President i Partisë së Lirisë, forca e tretë politike në vend në 20 vite.
Nuk ka ndodhur në asnjë vend demokratik që një ish-President i Republikës e kryetar partie të arrestohet për dyshime në prag të zgjedhjeve.
Pse keni një qëndrim të ashpër ndaj ish-bashkëshortes tuaj dhe nuk e pranoni as ta takoni, kur ajo u ka thënë hapur prokurorëve të merren me të, jo me ju. Pra në një farë mënyrë ka marrë autorësinë e gjërave?
Qëndrimet mia për çështje parimore janë të prera dhe pakompromis.
Lidhur me përgjegjësitë ligjore ato janë individuale dhe jo kolektive apo të transferueshme.
Qëndrimet e saj mediatike dhe ligjore janë pjesë e konceptit të mbrojtjes së saj për mbrojtjen dhe nuk më shërbejnë aspak mua.
Ajo që më shërben dhe më duhet mua është e vërteta dhe ajo është me mua.
Cilët janë njerëzit tuaj më të afërt sot në kushtet kur jeni i izoluar?
Në këto kushte njerëzit më të afërt janë Familja, bashkëpunëtorët e mij të Partisë së Lirisë, si edhe avokat Gjokutaj me të cilin ndjekim çdo ditë këtë proces të dokumentuar si të parregullt ligjor.
Një njeri i lidhur fort e i mësuar me aktivitet sportive me ngjitje në mal, not, palestër. Si ja bën në ato kushte?
Aktivitetin sportive nuk e kam ndërprerë asnjë ditë dhe do ta vazhdoj deri në ditën e fundit.