“Prit bre; qyre ti jaran”: Dy Gashët përplasen live, u hy “dreqi” në mes

Dardan Gashi dhe Tomë Gashi mund ta kenë mbiemrin e njëjtë, por asgjë më shumë. Në fakt, hiq mbiemrin, dy Gashët kanë qëndrime të kundërta në pothuajse çdo gjë rreth politikës kosovare. I pari, pra Dardani, është me opozitën, i dyti, pra Toma, e përkrah pushtetin. Ish-ministri tash opozitar u përplas mbrëmë me avokatin e afërt me pushtetin (avokat edhe për nga vokacioni i përditshëm në gjykatat kosovare, por edhe për nga zellshmëria e vazhdueshme për ta mbrojtur pushtetin e kryeministrit Albin Kurti).

E gjithë përplasja verbale ndodhi në transmetim të drejtpërdrejtë në RTV “Dukagjini”, në sytë e disa analistëve (plus moderatorit, kameramanëve e pjesëtarëve të tjerë të regjisë). Tema që i përplasi dy Gashët ishte qeverisja e Qeverisë Kurti, aq sa gjatë debatit u ngritën tonet e zërit, u rrah tavolina e madje u përmend shkarazi edhe dreqi, një figurë e errët mitike e feve abrahamike.

Si gjithmonë, Dardani i Gashëve e kritikoi qeverisjen e Kurtit, duke e akuzuar pushtetin se nuk di të punojë si duhet.

“Qyre, ti jaran, edhe një herë” – ishte nisja e Dardanit, i cili dukej se po nervozohej me ndërhyrjet e vazhdueshme të Tomës.

“Votat i kanë pasur, i kanë kalu ligjet. I kanë kalu gabim, antikushtetues. Edhe për këtë, edhe 400 për qind me i marrë, kot e ka. A po sheh qekjo Donika Gërvalla, edhe 400 mijë vota veç kjo me i bo, nuk e bëjnë më të meçme” – ishte fjalia e Dardanit.

Sigurisht, këtu ndërhyri ose së paku tentoi të ndërhynte Toma, gjë e cila e nervozoi tej mase Dardanin. Dardani i Gashëve e rrahu tavolinën, duke i kërkuar që të priste. Në këtë moment, Dardani përdori një togfjalësh popullor, ku u përmend edhe dreqi (Zot na ruaj nga dreqi).

“Prit bre, dreqi e hangtë” – ishte kërkesa, por nëse analizohet intonacioni i Dardanit mund të quhet edhe urdhri i ish-ministrit Gashi.

Në prapavijë u dëgjuan disa të qeshura në kor, ndonëse Dardani dukej goxha nervoz.

“Khaaa” – ishte pasthirrma e Dardanit, ndërsa Toma vazhdoi me të veten, duke mos u ndalur, përkundër kërkesës/urdhrit eksplicit të Dardanit.