Shqiptarja me famë botërore, modelja, Emina Cunmulaj, në kuadër të fondacionit të saj të bamirësisë, “Emina’s Hand”, ka bërë dhurata për të gjithë nxënësit e shkollës fillore “Dacaj”, që është e vetmja shkollë shqipe në Rozhajë të Malit të Zi.
Pasi ka shkuar në vizitë në këtë shkollë ajo ka ndarë nja donacion dedikuar nxënësve të kësaj shkolle me qëllim që t’ua lehtësojë veprimtarinë e tyre, ka raportuar Radio Televizioni i Rozhajës.
Në një deklaratë për televizonin ajo ka thënë se fillimisht për këtë shkollë i kishte treguar një i afërm i saj.
Çunmulaj deklaroi se kushëriri i saj i ka shpjeguar se kjo është e vetmja shkollë shqipe në Rozhajë,
“Në fakt një njeri me emrin Faruk Daciqi më ka shkruar në Instagram dhe unë erdha deri në Rozhajë. Meqenëse kam qenë në Kosovë i rashë edhe kësaj rruge”, ka thënë modelja.
Ajo ka treguar tutje se kushëriri i saj i ka shpjeguar se kjo është e vetmja shkollë shqipe në Rozhajë, gjë për të cilën modelja shprehi gëzim.
“Kur u takova edhe me Farukun pastaj, ai më tregoi se kjo është e vetmja shkollë ku mësohet në gjuhën shqipe këtu. Unë desha t’i përgëzoj pak nxënësit duke ju vendosur një buzëqeshje në fytyrat e tyre, përmes një mënyrë që unë mund ta bëj”, ka thënë tutje Cunmulaj.
Ajo gjithmonë ka menduar se hapi i parë është më i vështiri kur bëhet fjalë për të mbërritur tek ai që ka nevojë.
“Tash, sipas asaj që shihet, ndoshta njerëzit mund të mendojnë se nuk ka nevojë, por nevoja gjithmonë ekziston dhe unë patjetër që do të vazhdoj t’i ndihmoj komunitetit”, ka thënë ndër të tjera ylli.
Drejtori i kësaj shkolle, Shevqet Daci, ka mirëpritur donacionin dhe ka shprehur falënderimet e tij, duke i cilësuar si të nevojshme dhuratat për nxënësit.
Shevqet Daci, drejtor i shkollës
“Emina Cunmulaj, modele e njohur në mbarë botën, ka ardhë në komunikim me një nga kushërinjtë tanë këtu në komunën e Rozhajës dhe ka vendosur që ta vizitojë shkollën ‘Dacaj’ dhe të bëjë një donacion për nxënësit”, ka thënë drejtori.
Ai gjithashtu ka thënë se shpreson që kjo nuk do të jetë hera e fundit që nxënësit e kësaj shkolle të gëzohen nga personalitete të tilla.
“Patët mundësinë edhe ju që të shihni se ajo i ka gëzuar fëmijët e shkollës e të çerdhes. Shpresoj që kjo nuk do të jetë hera e fundit që fëmijët të gëzohen nga njerëz siç është Emina Cunmulaj.
Në pranim dorëzimin e këtyre dhuratave ishin të pranishëm përfaqësues të shkollës dhe të fondacionit Emina’s Hand.