Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media ka thënë se para ndërkombëtarëve ka shprehur gatishmërinë për të shkruar draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por është refuzuar.
“Më duhet të them se unë kam ofruar ta shkruajë draftin por aty jam refuzuar dhe më është thënë se këtë duhet ta bëjë ekipi menaxhues, i kryesuar nga deputetja e partisë së Vuçiqit e cila thur lavde për kryekriminelin serb Milan Radojçiq”, ka deklaruar Kurti.
Ai potencoi se meqenëse Kosova është republikë demokratike, kryeministrat nuk formojnë asociacione të komunave dhe sipas tij kjo duhet të vijë nga komunat.
“Unë kam shprehur gatishmërinë ta shkruaj draft statutin, mirëpo në anën tjetër jam kryeministër i Republikës Demokratike dhe duke qenë kryeministër unë nuk formoj Asociacion, kjo duhet të bëhet nga komunat.
Komunat asociohen me njëra-tjetrën, koordinohen, bashkëpunojnë e kështu me radhë. Ne tanimë e kemi një asociacion të komunave. Nëse dikush e dëshiron edhe një asociacion tjetër atëherë kjo duhet të vijë nga komunat. Nuk formon kryeministri e as nuk i themelon ato.
Është në kuptimin e nocionit asociacion liria e asociimit, jo imponimi i asociimit. Nëse kryeministri do të themelonte një asociacion të komunave ky do të ishte imponim Ky do të ishte një imponim ndaj komunave, asociimi është liri, është e drejtë. Këtë se bëj dot unë aq më pak ndonjë shtet fqinj që mund të ketë pretendime të tilla”, ka thënë Kurti para mediave.
Tutje, ai ka theksuar se marrëveshja bazike vjen mbi të gjitha.
“Marrëveshja Bazike është para se gjithash dhe mbi të gjitha. Unë kam kërkuar që atë ta nënshkruajmë sepse është paketa ku gjithçka mund të vendoset e jo të nxjerrësh diçka nga paketa e ta shkatërrosh paketën. Atë s’e lejoj”, ka potencuar kryeminisri i Kosovës.