Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thotë se pagat për sekotrin publik do të rriten nga janari i vitit të ardhshëm, duke shtuar se kjo rritje ka ndodhur si pasojë e rritjes ekonomike dhe të hyrave në buxhetin e shtetin.
“Rritjen ekonomike dhe të hyrave në buxhetin e shtetit, po i kthejmë në rritje të pagave, pensioneve, shtesave dhe mirëqenies së qytetarëve. Jemi shumë të lumtur që muajve të fundit kemi pasur mundësinë që të ndajmë lajme të mira e të njëpasnjëshme për bashkëqytetarët tanë. Pagat për sektorin publik për mbi 83 mijë zyrtarë publik po i rrisim duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm”, shkroi Kurti në Facebook.
I pari i Qeverisë shton se sfidave dhe krizave globale i janë qasur me pjekuri dhe me përgjegjësi ndaj parasë publike.
“Nga janari gjithashtu fillon ekzekutimi i pensioneve me rritje të kategorive të dala nga lufta, ndërkohë që pensionistët e moshës, përfituesit e skemave pensionale invalidore dhe të aftësive të kufizuara këtë muaj kanë marrë pensione me rritje prej 20%.
Në gusht, shtesat për mbi 410 mijë fëmijë i kemi dyfishuar e në raste trefishuar atëherë kur prindërit kanë tre ose më shumë fëmijë. Kurse që nga ky muaj paga minimale në sektorin privat është rritur në 350 euro, pas 13 vitesh. Sfidave e krizave globale i jemi qasur me pjekuri dhe me përgjegjësi ndaj parasë publike dhe qëndrueshmërisë financiare të shtetit tone”, shkroi Kurti.
Ai shton se “në vend të zgjidhjeve e politikave populliste dhe të papërgjegjshme, kemi zgjedhur rrugën më të gjatë, por më të sigurt dhe më të qëndrueshme: për të tashmen dhe të ardhmen”.