Nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka iniciuar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër një shkrimi të Lëvizjes Vetëvendosje për kthimin e terminaleve doganore në pronësi publike.
Në padinë të cilën e ka parë Insajderi, bëhet e ditur se arsyeja pse Lushtaku ka dërguar në gjykatë Lëvizjen Vetëvendosje është një shkrim në kanalin zyrtar të subjektit politik në ‘Facebook’ me titullin “Pse gjithë ky siklet me Qeverinë Kurti?!”.
Në atë shkrim, VV’ja pretendon se terminalet doganore ishin privatizuar më herët nga “djemtë e Isa Mustafës” dhe Sami Lushtakut dhe kanë përfituar 37 milionë euro për 10 vite.
“Terminali i Devollëve, i Sami Lushtakut, i djemve të Isa Mustafës, i Margarita Kadriut, që kaluan nga prona publike në private duke u sjellë për 10 vjet 37 milionë euro këtyre familjeve që sunduan me vendin – me Qerverinë Kurti janë kthyer në pronësi publike”, thuhet në shkrimin e VV’së.
“Kjo pa dyshim që dhemb, dhe ata ende kanë para për ta shprehur mllefin ndaj Qeverisë Kurti, e cila ua ndërpreu fitimet dhe po krijon mekanizma për konfiskimin e pasurisë që ata kanë zhvatur. Të gjithë e dimë që sa më shumë i prekim në xhep, aq më shumë do të reagojnë. Por nuk do të na ndalin në rrugën për një Kosovë të zhvilluar e pa zhvatës”, vijon shkrimi.
Në padinë e Sami Lushtakut thuhet se shkrimi është “plotësisht i pasaktë dhe i pavërtetë”.
“Meqenëse në shkrimin e sipërcituar përmendet emri dhe mbiemri i Sami Lushtakut në kontestin negativ e i cili shkrim është plotësisht i pasaktë dhe i pavërtetë sa i përket z. Lushtakut, ngase i njëjti asnjëherë nuk ka pasur terminal e që më pas ai terminal të ketë kaluar nga prona publike në pronë private të Sami Lushtakut dhe të tjerëve së bashku, e në anën tjetër ai terminal t’i ketë sjellë z. Sami Lushtakut shumën prej 37 milion euro apo ndonjë pjesë nga ajo shumë prej 37 milion eurosh, por vërtetësinë e lajmit publikuesi nuk ka dashur fare që ta kërkojë, verifikojë apo ta vlerësojë dhe ta gjejë pasi që ajo shumë lehtë mund të dihet dhe vërtetohet se NUK është e saktë”, thuhet në padi.