Largimet nga VV-ja rrezikojnë shumicën parlamentare: Sfida të reja për Qeverinë Kurti në Kuvend

Ndonëse brenda Kuvendit iu kanë mbetur 53 deputetë, nga Lëvizja Vetëvendosja këmbëngulin se akoma e kanë shumicën brenda Kuvendit, por që kohët e fundit thonë se kanë pasur problem me kuorumin për shkak të angazhimeve që deputetët kanë jashtë vendit.

Në listën prej 120 emrave, çdo i dyti kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje është bërë deputet, statistikë e pa arritur në historinë e Kosovës.

Gati katër vjet pas, gjërat kanë ndryshuar. Drita Millaku, Eman Rrahmani, Visar Korenica, Doarsa Kica-Xhelili, Haki Abazi e Fatmir Humolli janë 6 deputetë të larguar, duke e lënë Vetëvendosjen me 53 deputetë në Kuvend.

Krahas largimeve janë shtuar edhe rastet kur kryeparlamentari Kojnufca i fton deputetët të shpërndahen me këtë fjali.

Megjithatë deputetë të partisë në qeverisje insistojnë se akoma e kanë shumicën në parlament, por duke llogaritur edhe në mbështetjen e deputetëve nga komunitetet.

Deputetja Fitore Pacolli thotë se kohëve të fundit problem kanë qenë angazhimet e deputetëve jashtë shtetit.

“Ne po bëjmë përpjekje që ditëve në vijim të mbajmë një mbledhje të Kuvendit ku do të kemi shumicën e deputetëve, të kalojmë të gjitha ligjet që i kemi në rend të ditës, dhe pastaj do të përgatitemi për ligjet e tjera”, ka thënë për Tv Dukagjinin Fitore Pacolli – deputete e Lëvizjes Vetëvendosje.

Me arsyetimin e Pacollit nuk pajtohet, Naim Jakaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi.

“Po shihet që edhe kjo javë tashmë është me mungesë të seancës që ne besojmë për shkak të mungesës së votave, në seancë plenare nuk do të ketë një seancë të tillë”, ka thënë Naim Jakaj – hulumtues i lartë në IKD.

Çështje tjetër në të cilën Pacolli llogaritë në ndihëmn e të tjerëve është votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare. Ajo thotë se llogarisin në vullnetin e opozitës e cila sipas saj duhet ta ndjekë shembullin e Vetëvendosjes sa ishte në opozitë.

“Është e turpshme të arrijmë një marrëveshje ndërkombëtare me një shtet evropian dhe pastaj të mos arrijmë ta kalojmë në Kuvend, për shkak të inateve që mbanë opozita, me neve”, ka thënë Fitore Pacolli – deputete e Lëvizjes Vetëvendosje.

Optimizmin, Pacolli e përforcon edhe për votimin e buxhetit për vitin 2024, i cili pret të votohet pa asnjë problem. E për këtë sfidë Jakaj, çelësin e suksesit thotë se e ka opozita në duar.

“Shumica parlamentare ka përdorur arrogancën në vitet e kaluara, në ndërkohë tashmë këtë vit do të jetë përballë një sfidë për të cilën besojmë që tashmë do të kërkojë edhe votën e opozitës, por për ta kërkuar votën e opozitës, një shumicë parlamentare e tillë siç është e Lëvizjes Vetëvendosje, që për pak numra nuk do të mund ta kalojë projektligjin, atëherë do të duhej që të dialogojë dhe të komunikojë e të negocioj në mënyrë transparente që një projektligj të kalojë me kushtëzimin që ndoshta opozitës t’i miratohet ndonjë projektligj tjetër”, ka thënë Naim Jakaj – hulumtues i lartë në IKD.

Sipas të dhënave të IKD-së, Qeveria e ka realizuar vetëm 29% të projektligjeve të planifikuar për këtë vit, nga 119 janë miratuar 35 projektligje.