Ja sa para i morën deputetët e Listës Serbe duke bojkotuar 3 vjet seancat e Kuvendit

Me 17 nëntor të vitit 2022, deputetët e ri të Listës Serbe u betuan në Kuvendin e Kosovës, e më pas e lëshuan sallën. Këta i zëvendësuan deputetët e dorëhequr të këtij subjekti, pas ngjarjeve në veri të vendit. Por, pavarësisht që i bojkotuan seancat, të njëjtën gjë nuk e bën me pagat. Plotë 650 mijë euro i kushtoi buxhetit të Kosovës paga e këtyre deputetëve, të cilët në sallë paraqitën vetëm çdo gjashtë muaj për ta ruajtur mandatin e deputetit.

Me 17 nëntor të vitit 2022, u paraqitën në Kuvendin e Kosovës.

E menjëherë pas betimit, deputetët e ri të Listës Serbe, e lëshuan sallën.

Në këtë formë u zëvendësuan 10 deputetët e kaluar nga ky komunitet, të cilët dhanë dorëheqje vetëm dhjetë ditë më parë, pas ngjarjeve në veriun e vendit.

Por, bojkotin e nisur nga deputetët e vjetër, e vazhduan edhe deputetët e ri të Listës Serbe.

Nga këtu këta deputetë do të shihen në punimet në Kuvend çdo gjashtë muaj.

Krejt kjo për ta ruajtur mandatin.

Por, pavarësisht që i bojkotuan seancat, këtë nuk e bën me pagat.

Për 3 vjet, këta deputet nga buxheti i Kosovës në total morën afër 650 mijë euro pagë.

E përveç kësaj, mosprezenca e tyre në Kuvendit të Kosovës, ndikoi edhe në mbarëvajtjen e punimeve.

“Ka ndikuar jashtëzakonisht dëmshëm në funksionimin demokratik të këtij institucioni, kemi pasur rastin me pa që nuk ka mundur të miratohet legjislacioni me interes vital, gjithashtu amendamentet kushtetuese, shembull, amendamentin kushtetues numër 27, i cili do të inkorporonte Konventën e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, thotë Melos Gashi, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi.

Melos Gashi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se serbët e Kosovës mbetën të papërfaqësuar në Kuvend.

“Përfaqësimi i komunitetit jo shumicë serb, në Kuvendin e Kosovës, nuk ka qenë i duhuri në këtë legjislaturë. Ne e dimë numrin e serbeve në Kosovë dhe e dimë që ata kanë vendet e rezervuara në kuvend dhe gjithë qytetarët serb të Kosovës ndihen të papërfaqësuar në Kuvendin e Kosovës”, shprehet Gashi.

Se Lista Serbe ua ktheu shpinën komunitetit serb në Kosovë, e thonë edhe në Institutin Demokratik të Kosovës.

“Fatkeqësisht komuniteti serb në Kosovë është totalisht i papërfaqësuar, kjo për faktin se Lista Serbe është totalisht e varur, e mbikëqyrur dhe e kontrolluar nga autoritetet e Serbisë, apo për të thënë më mirë nga Qeveria e Serbisë. Çdo sjellje e këtyre deputetëve është diktuar nga situatat dhe rrethanat që i kanë parapri shteti i Serbisë”, thotë Vullnet Bugaqku – hulumtues në KDI.

Nga radhët e komunitetit serb në Kuvendin e Kosovës, aktualisht mandatin e deputetit e mbajnë Millan Joksimoviq, Nenad Radenkoviq, Ollivera Zdravkoviq, Millan Kostiq, Zoran Maksimoviq, Svetisllav

Gjokiq, Ksenija Bozhoviq, Radosh Mihajlloviq, Bilana Makshiq dhe Cvetko Veloviq.

Ndryshe, nga 120 ulëset e deputetëve në Kuvendin e Kosovës, dhjetë prej tyre janë të rezervuara për komunitetin serbë dhe dhjetë të tjera për komunitetet pakicë që jetojnë në Kosovë.