“Mami dua të iki në shtëpi”/ 7-vjeçarja në rrezik për jetën, prindërit mes lotësh u kërkojnë ndihmë shqiptarëve

Për Shqiptarët/ Në një fshat të vogël në Devoll të Korçës jetojnë jo më shumë se 10 familje, e një prej tyre është familja Gano e përbërë nga 7 anëtarë: prindërit Xhoana dhe Mariglen, 3 fëmijët e vegjël dhe 2 gjyshërit e tyre.

Xhoana dhe Marigleni janë njohur dhe dashururar në vitin 2016. Një vit më vonë vjen në jetë fëmija i tyre i parë, një vajzë që e quajtën Leandra dhe ishte bekimi më i madh i shtëpisë.

2 vite më vonë vjen në jetë djali Aleksi dhe përsëri pas 2 vitesh një vajzë, Aurora e cila sot është 4 vjeç.
Shtëpia e tyre, një shtëpi e vjetër fshati, qëndronte në cep të një rrugice të pjerrët nga e cila mund të shihje fusha të tëra të mbjella me misër e thekër. Muret e shtëpisë ishin të plasaritura, por brenda tyre familja nuk ndjente asnjëherë ftohtë. Ishte një jetë e thjesht por ndiheshin gjithmonë plot.

Marigleni punonte çdo ditë duke prerë dru të cilat më pas I shiste, e kur nuk kishte punë aty shkonte e bënte çfarëdo pune të gjente në fshat. Xhoana qëndronte në shtëpi e kujdesej për fëmijët. Çdo mëngjes ajo përcillte bashkëshortin në punë, fëmijët në shkollë, e vetë niste të gatuante ato pak gjëra që I ndodheshin në shtëpi, sepse donte që kur të ktheheshin të gjenin ushqimin e ngrohtë mbi tryezë. Kënaqësia e saj më e madhe ishte t’i shihte ashtu të mbledhur rreth tryezës të gjithë njerëzit e saj të zemrës.

Ditët kalonin në qetësi me të njëjtën rutinë, që ndoshta atëherë nuk e kanë kuptuar se sa e çmuar ka qenë, e tani do të bënin çdo gjë për t’i rikthyer.

Qetësia e shtëpisë ndryshoi kur Leandra po ankohej se ndihej e pafuqishme dhe donte vetëm të flinte. I kërkonte mamasë ta mbulonte sepse vetë ndjente se nuk mund të lëvizte as duart. Energjia që kishte dikur po I shteronte nga pak çdo ditë. Leandra ishte një fëmijë I mbarë, e qeshur dhe shumë e dashur. Ishte vetëm 8 vjeç, por zgjuarsia e përgjegjëshmëria e saj i tejkalonin vitet që mbante. Ajo ndihmonte mamanë me punët dhe ishte gjithmonë e vëmendshme për vëllain dhe motrën e vogël.
Shqetësimet u shtuan 10 ditë më parë, kur Leandra e vogël pati temperaturë shumë të lartë e cila nuk po I ulej.

Thonë se zemra e një nëne e parandien kur fëmija është në rrezik, e zemra e Xhoanës e ndjeu se vajza e saj kishte diçka.
Morën makinën nga një i afërmi i tyre dhe e sollën me urgjencë në spitalin e Tiranës. Bashkë me ta erdhi edhe gjyshja e Leandrës e cila nuk donte t’i linte vetëm.
Pas të gjitha kontrolleve, Leandra u diagnostikua me leucemi.

Ata kanë 10 ditë që qëndrojnë në spital. Vajza është në gjendje të keqe dhe doktorët I kanë thënë se duhet të shkojë sa më shpejt për kurim jashtë, por Xhoana dhe Marigleni nuk I kanë mundësitë. Me punën që Marigleni ka bërë deri tani, me zor ia kanë dalë të kenë ushqim në shtëpi, e kjo ishte një kërkesë përtej mundësive të tyre. Ndihen të pafuqishëm sepse nuk I kanë lekët për të shpëtuar jetën e Leandrës së tyre të vogël. Ndihen të pafuqishëm të rrinë afër vajzës e ta shohin në atë gjendje, të shtruar në spital e ata që nuk mund të bëjnë dot asgjë. Leandra ka 10 ditë që është e shtruar në spital e çdo ditë e pyet mamanë: ‘çfarë bëjmë këtu mami? Hajde ikim në shtëpi se më ka marrë malli për motrën.”

Kur infermieret futen në dhomë ajo e di se ato do vijnë për t’i bërë gjilpëra të tjera e për t’i shpuar krahët me vendosjen e vigonave, por krahët e saj të vegjël janë nxirë dhe nuk ka më forcë që të durojë. është e pafuqishme që të bërtasë por me zërin e mekur iu thotë: ‘Teta të lutem mos m’i vendos më se më dhembin…”.

Prej 10 ditësh, prindërit e Leandrës dhe gjyshja e tyre jetojnë në ambientet e spitalit.
Gjyshja e Leandrës ka 10 ditë që fle në makinë. Ajo refuzon të kthehet në shtëpi pa mbesën. Thotë se duhet të jetë këtu në rast se duhet t’i japë lamtumirën e fundit…
Ndërsa babai i Leandrës fle në lulishte, pranë dhomës së vajzës…

Kanë 10 ditë që qajnë, 10 ditë që më shumë kanë ndenjur pa ngrënë e 10 ditë që nuk kanë vënë sy në gjumë nga meraku. Kanë frikë se kur të zgjohen do marrin lajmin që asnjë nuk e thotë me zë, por në shpirt të gjithë e ndjejnë se rrezikon të ndodhë në çdo moment.

Fëmijët e vegjël i kanë lënë në kujdesin e gjyshit. Ai i çon në shkollë, i merr, iu gatuan, kujdeset për ta sepse nuk kanë asnjë njeri tjetër.
Xhoana mes lotësh na ka rrëfyer se familja e saj ka qenë gjithmonë bashkë, nuk janë ndarë kurrë nga njëri tjetri, por tani familja është përçarë.

Po iu helmohet zemra me çdo ditë që kalon…
Ata luten e shpresojnë për një mrekulli. E vetmja gjë që duan është të kthejnë Leandrën në shtëpi – aty ku vëllai dhe motra e presin, aty ku nuk njeh dhimbje por vetëm shërim, aty ku mund të jenë të gjithë bashkë sërisht.