Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen gjatë vizitës së saj në Beograd u shpreh se ishte e bindur se Serbia do të bënte përparim të mëtejshëm drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, gjatë mandatit të saj të ardhshëm.
Von der Leyen tha se integrimi ekonomik i Serbisë me bllokun tashmë është duke ecur përpara me Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe përmendi sundimin e ligjit, sistemin gjyqësor dhe përafrimin me politikat e tjera të BE-së, si fusha ku diskutimet ishin në vazhdim.
“Siç e shihni me Planin e Rritjes ne tashmë hapim pjesërisht derën për integrimin ekonomik, por të gjithë diskutimin që kemi për sundimin e ligjit, sistemin gjyqësor, politikat e jashtme për shembull, është një proces për t’u përafruar me Bashkimin Evropian, dhe kur të arrihet qëllimi, atëherë është hapi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe për këtë arsye, është vendimi i vendit kandidat që përcakton shpejtësinë e integrimit në BE”, tha presidentja e KE, shkruan A2.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha në gusht se vendi i tij nuk ka gjasa të hyjë në Bashkimin Evropian në vitin 2028, një datë e synuar nga disa vende të tjera të Ballkanit Perëndimor që shpresojnë të bashkohen me bllokun.
Serbia duhet të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën para se të mund të anëtarësohet në BE.
Pas vizitës në Serbi, Von der Leyen do të vizitojë Prishtinën dhe do të takohet me liderët e Kosovës.