“Zakonisht kur ndërron operatori ekonomik, siç e kemi parë edhe në këtë rast, nganjëherë ai fillimi është pak më i ndërlikuar, mirëpo me aq sa jam unë e informuar kjo çështje është zgjidhur tashmë”, ka deklaruar Gërvalla.
Kështu kishte deklaruar Ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla muaj më parë kur ishin shfaqur ankesat e para për dërgesat nga Prishtina në misionet diplomatike dhe konsullore të Kosovës nëpër botë, të cilat po i kryente kompania “A.L DUSHI SH.P.K” (kontraktor i autorizuar i kompanisë multinacionale UPS).
Çështja, jo që nuk është zgjidhur, por kompanisë që ishte zgjedhur fituese e tenderit me çmim katërfish më të lartë, i është ndërprerë dje kontrata pasi ka dështuar t’i ofrojë shërbimet që i kishte premtuar me kontratë.
Sipas vendimit të MPJ’së që e ka nënshkruar nga Kaltrina Dalipi Ushtruese e Detyrës së Divizionit Prokurimit Publik, e cila ka lidhje familjare me Luan Dalipin, shefin e stafit në kabinetin e Kryeministrit Kurti, “A.L DUSHI SH.P.K” (UPS) ka dështuar.
Për pasojë, aktualisht, 406 pasaporta, 165 letërnjoftime dhe 4 vendime për shtetësi nuk kanë shkuar në destinacion.
“Edhe përkundër vërejtjes së parë, me datë 09.10.2024 në cilësinë e menaxherit të kontratës kam paralajmëruar operatorin për mos respektim të afateve, konkretisht për 12 dërgesat e datës 02.10.2024 të cilat nuk kanë arrit me kohe ashtu siç është e përcaktuar në specifikat e kontratës, andaj u vendos t’i shqiptohet vërejtja e dytë me shkrim me datë 15.10.2024. Me datë 18.10.2024 ora 14:00h është mbajt një takim me OE për dërgesa të cilat ende nuk kanë arrit sipas specifikave të kontratës 24h-48h zona 1. Numri total i dokumenteve që ende nuk kane arrit janë 406 pasaporta, 165 letërnjoftime dhe 4 vendime lirm/fitim shtetësie” thuhet në vendimin për ndërprerjen e kontratës.