Gazetari dhe drejtuesi i emisionit “Opinion”, Blendi Fevziu, ka komentuar arrestimin e llir Metës, veprim për të cilin tha se nuk i pëlqeu për mënyrën se si ndodhi, teksa mund të ishte zgjedhur një formë tjetër.
Gjatë një interviste televizive, Fevziu përmendi 2 gabime politike që ka bërë Ilir Meta.
“Unë mendoj që politikisht gabimet e Metës ishin dy; E para, largimi nga koalicioni me Berishën në 2013 duke menduar që Berisha e kishte humbur pjesën më të madhe të mbështetjes dhe duke menduar që duke shkuar këtej do krijonte përshtypjen publike që pushteti shkon nga shkon Meta. E sidomos në 2017, sepse largimi nga koalicioni me Ramën që ishte një lloj basti politik i Metës duke menduar që bërë një lëvizje Rama do të humbte, sepse nuk mendonte askush që Rama do merrte 71 vota i vetëm. Meta mendonte që me votat e veta do të luante ai përcaktuesin e fatit të qeverisë, qoftë me Bashën, qoftë me Ramën. Kjo nuk ndodhi sepse Rama i mori 71 mandate vetë që ishte moment i çuditshëm.
Pas kësaj, ishte gabim në gjykimin tim, mungesa e bashkimit me PD në zgjedhjet e 2021 që të kishin dalë me një listë të vetme do kishte qenë më efikase. Megjithëse atëherë ishte vonë.
Nga ana tjetër, duhet thënë që Meta ishte nga politikanët që e konsideroi gabim largimin nga Parlamenti”.
Por përtej këtyre dy gabimeve, Fevziu thotë se karriera e Ilir Metës mori të tatëpjetën kur pranoi që të bëhej President i Republikës në vitin 2017.
“Unë mendoj që Meta ka bërë një gabim madhor përtej të gjithë këtyre, që pranoi të shkonte President në 2017. Meta ishte një lojtar në lojë. Në momentin që shkon president, je një lojtar që s’ke as fanelë, as mjete, madje as fushë ku të luash. Sepse President njeriu shkon në mbyllje të karrierës së tij. Kështu që Meta bëri një gabim fatal. Në qoftë se Meta do të kishte marrë presidentin, do të kishte mbyllur karrierën e tij si President dhe do ishte larguar, nuk do të kishte pasur një tjetër”.
Ilir Meta akuzohet nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.