Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitarit Fadil Gecit iu prezantua një deklaratë e Rexhep Selimit, ku kishte thënë se ai që e kishte vrarë Abedin Rexhën ishte Gani Geci.
Mirëpo, një gjë të tillë e mohoi Fadil Geci, i cili tha se kur flasim për bërthamat e UÇK-së, nuk duhet ta harrojmë Abedin Rexhën-Sandokanin, i cili sipas tij u vra “nga dora e tradhtarit”, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Abedini dhe tre komandantë të tjerë kanë vdekur në betejë. Zona Operative e Drenicës dha katër komandantë brigadash në këtë luftë. Abedin Rexhën, Fehmi Lladrovcin, Ilaz Kodrën dhe Mujë Kransiqin. Vrasja e Komandantit Sandokan është një vrasje në vazhdën e vrasjeve nga tradhtia e njerëzve të mëdhenj. Abedin Rexha u vra nga dora e tradhtarit në pritë, ashtu siç kemi raste gjatë historisë tonë kur njerëzit e medhenj vriten nga tradhtarët”, lexoi prokurori James Pace përgjigjen e Rexhep Selimit në një inervistë.
Tutje, prokurori lexoi se Rexhepi kishte thënë se duhet të thuhet e vërteta mbi vrasjen e Rexhës.
“Kjo nuk bën të fshihet. Përkundrazi, në atë momet kur fshihet bëhet një atentat i dytë mbi Abedinin. Prandaj, duhet që të themi të vertetën lidhur me Abedinin. Vrasja e Abedinit është përfshirë në një komunikatë, në komunikatën 59-të, ku thuhet që ai është vrarë nga Geci. Pse është bërë kjo vrasje, ndërkohë që Abedini mendohet se ishte një perosn shumë i rëndësishëm i UÇK-së në atë kohë. Një shtyllë që njerëzit dëshironin që ta hiqnin”, lexoi prokurori tutje përgjigjen e Selimit në intervistë.
Më tej, Pace lexoi përgjigjen e Selimit, duke thënë se Abedin Rexha është vrarë nga Gani Geci.
“Abedin Rexhën e vrau Gani Geci. Duhet të bëhet analiza se kush është vrarë. Është vrarë një komandant brigade, një ndër themeluesit e UÇK-së në Drenicë, themeluesi i Brigadës 112 dhe një person me kompetencë, e një person që njihej nga popullata. Pse duhet ta fshehim këtë? Ne duhet ta themi të vërtetën”, tha prokurori ,teksa lexoi përgjigjen e Selimit.
Në përgjigjen e tij, dëshmitari Fadil Geci tha se një gjë e tillë është gënjeshtër.
“Ky e din që nuk është ashtu e është rrenë. Rrenë është. Komplet është rrenë. I ka vy, është përfaqësuesi i LPK-së e i drejtimit të kundërt, e ka shkru për palën tjetër se është kështu e është ashtu. Kjo nuk është e vërtetë dhe është krejt rrenë. Forcat e Bujar Bukoshit kanë qenë forca të rregullume brenda sistemit shtetëror të Kosovës. Qaj shtet që e kemi pas”, tha Geci.
Geci theksoi se kanë pasoja edhe sot për shkak të komunikatës 59-të, e që familja e tij vuan në atë drejtim derisa të bëhet e ditur për opinionin që kjo komunikatë është gënjeshtër.