Kosova renditet e fundit në Evropë për nga të ardhurat mesatare mujore

Kosova vazhdon të përballet me pabarazi të konsiderueshme në paga krahasuar me Evropën Perëndimore, duke u renditur në vendin e fundit për të ardhurat mesatare mujore.

Sipas raportit të Bankës Botërore, i titulluar “Ruajtja e Ritmit të Rritjes”, motivet ekonomike kanë qenë shtytësi kryesor për ikjen e qytetarëve në kërkim të mundësive më të mira.

Raport e rendit Kosovën në vendin e fundit sa i përket fitimeve mesatare vjetore sipas vendeve, ku pagat e vendeve perëndimore u vlerësuan deri në tre herë më të larta, edhe pas përshtatjes së treguesve për fuqinë blerëse dhe koston e jetesës.

“Në vitet e fundit, motivet ekonomike kanë qenë shtytësi kryesor për emigracionin. Shumica e migrantëve lëvizin në kërkim të mundësive më të mira për punësim dhe pagave më të larta. Shkalla e punësimit në vendet e WB6 është dukshëm më e ulët krahasuar me ato të vendeve të destinacionit (60.3 për qind në vitin 2023, krahasuar me 70.4 për qind në BE)”, thuhet në raport.