Nexhmedin Spahiu, profesor universitar ka deklaruar se i beson deputetit të Kuvendit të Kosovës, Behxhet Pacollit, i cili ka thënë se një ditë para se Vjosa Osmani të zgjidhet presidente e shtetit, ka komunikuar me Milan Radoiciqin në prezencën e saj dhe kryeministrit Kurti, dhe ka ‘peshkuar’ një deputet për votimin e saj.
Sipas Spahiut, Pacollin nuk mund ta detyrojë asgjë përveç sinqeritetit të tij që të rrëfejë një gjë të tillë në këtë moment kur nuk është shumë popullore ta thuash që unë kam komunikuar me Radoiçiqin.
“Meqenëse Behxhet Pacolli po thotë unë e kam siguruar edhe ai nuk ka nevojë përveç sinqeritetit asgjë tjetër nuk mund ta detyrojë të thotë se e kam siguruar unë, në këtë rast kur nuk është shumë popullore ta thuash që unë kam komunikuar me Radoiciqin, dhe fakti që ai po e thotë se ka komunikuar me të, më bën mua ta besoj se ashtu ka qenë. Natyrisht ai nuk ka mundur ta bëjë këtë kokë më vete sepse atij nuk i janë dashur votat, se me pas qenë kur u zgjedh ai president atëhere ai sigurisht që kishte bërë veprime pa i pyetur të tjerët, sepse do ta kishte bërë për interes të tij”, ka thënë ai.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Behxhet Pacollit të mërkurën deklaroi se një ditë para se Vjosa Osmani të zgjidhet presidente e shtetit, ka folur me Milan Radoiciqin në prezencën e saj dhe kryeministrit Kurti, ku sipas tij u peshkua një deputet për votimin e saj dhe praktikisht ajo u arrit.
Në këtë deklaratë ai thotë se u peshkua deputeti Adem Hodza për t’ia mundësuar Vjosa Osmanit postin e presidentes.
Këto deklarime i ka mohuar Qeveria e Kosovës, ndërsa “pa zë” për këtë çështje janë nga Zyra e Presidentes dhe deputeti Hodza.