Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, kanë marrë vendim për vazhdimin e masës së paraburgimit edhe për nga dy muaj të tjerë për ish-Presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli, të cilët akuzohen për krime lufte së bashku me Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.
Vendimet e ndara për dy të akuzuarit janë marrë më 14 tetor 2024 nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në të dy vendimet, thuhet se nuk ka mjaftueshëm informacione që tregojnë se në rast që të akuzuarit lirohen nga paraburgimi, ata mund të arratisen nga drejtësia. Mirëpo, thuhet se ka rrezik që të pengojnë administrimin e drejtësisë dhe të kryejnë krime ndaj atyre që perceptohen kundërshtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), si dhe ndaj dëshmitarëve.
“Paneli konkludon se në këtë moment nuk ka ende mjaftueshëm informacion që të justifikojë një gjetje se z. Thaçi (z.Veseli) mund të arratiset nga drejtësia nëse lirohet. Megjithatë, Paneli është i kënaqur, bazuar në standardin përkatës, se ekziston një rrezik i mjaftueshëm që z. Thaçi (z.Veseli) do të pengojë përparimin e procedurave të Dhomave të Specializuara dhe se ai mund të kryejë krime të tjera kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, duke përfshirë dëshmitarët që kanë dhënë ose mund të japin dëshmi në këtë çështje dhe/ose pritet të paraqiten para Dhomave të Specializuara”, thuhet në vendimet ndaj tyre.
Ashtu si për Thaçin, edhe për Veselin, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka parashtruar se rreziqet përkatëse që mund të dalin nga dy të akuzuarit, mund të menaxhohen në mënyrë efektive vetëm në objektin e paraburgimit.
Gjithashtu, në këto vendime thuhet se ZPS-ja ka parashtruar se sjellja e dy të akuzuarve paraqet rrezik të shtuar për shkak të zbulimit të vazhdueshëm të informacioneve të ndjeshme të dëshmitarëve lidhur me procesin gjyqësor.