FILIP GURAZIU/ Gjuha pa dyshim asht elementi kryesor bashkëformues i nji populli e së bashku me veprimet që manifestohen në mënyrën e jetesës, kodin juridik dhe kulturën e nji populli formojnë atë që ne e quejmë traditë.
Dy konceptet, Gjuha e Tradita me kalimin e kohës zanë vend thellë në ndërgjegjen e individit (qeliza formuese e ndërgjegjes së shoqnisë njerëzore), projektojnë e me kalimin e kohës përcaktojnë konceptin e Identitetit. Evolucioni i pashmangshëm, efekt magjik i kohës, ndikon “pa paragjykim” në transformimin e “mjedisit” ku jeton shoqnia njerzore. Ai (evolucioni ) nuk pyet për urdhna politikë, për ndasi krahinore, për dëshira të “unit”, por vepron simbas nji logjike të imponueme prej nji fuqie të padukshme tue transformue çdo gja qe karakterizon nji shoqni njerëzore e deri vetë njeriun. Kujtojmë se ndër karakteristikat që përcaktojnë nji shoqni njerëzore, ‘Identiteti’ paraqet inerci shumë të madhe ndaj fuqisë ndryshuese të evolucionit tue manifestue edhe për periudha të gjata kohe ndryshime të papërfillëshme, dukuni që mbron dhe ruen identitetin e nji populli. Diktatura në vitin 1972 i dha dënim maksimal Gegnishtes me pasojë eleminimin material të saj, por anës shpirtnore të lidhun me identitetin nuk pati se ç’ka m’i ba! Gegnishtja jetoi për shumë vjetë në letargji mbrenda ndërgjegjës popullore derisa shpërtheu mbas viteve 90-të…
*Popullsia Gege vazhdon normalisht komunikimin gegnisht në familje ashtu si kanë folë para ardhësit e tyne. *Sot paskajorja (infiniti) hap mbas hapi po gjen terren në komunikim jo vetëm në veri.*Sot, shkruejnë gegnisht mbi 300 autorë letrarë dhe në sheshe të qyteteve këndohen kangë në gegnisht. *Sot nji masë e madhe njerëzish (Gegë) me profesione të ndryshëm shkruejnë poezi në gegnisht si forma ma e sinqertë dhe direkte e shprehjes së tyne emocionale ( Kujtesë; libri “ Antologji – Gegnishtja Poetike “ i publikuem në vjetin 2017 përmblodhi poezi në gegnisht prej 35 autoreve të panjohun ma parë)*Sot pra, gegnishtja jeton fuqishëm në ADN e popullit shqiptar.
Studimet etimologjike të universiteteve ma prestigjioze të botës (USA, Francë etj) e konsiderojnë Gegnishten, nji ndër tri gjuhët ma të vjetra në historinë e njerëzimit dhe të vetmen që vazhdon të flitet e të shkruhet. Gegnishtja ishte asht dhe ka me qenë rraja e gjuhës shqipe! Gegnishtja asht “pasaporta” e autoktonisë dhe e vazhdimsisë pellazgo – Iliro- shqiptare! Mungesa e gjuhës gege, hupja e gegnishtes na transformon në nji popull me mungesë identiteti, pa të kalueme e pa të ardhme e me të drejt vijnë pyetjet: Kush do të ishim na shqiptarët pa identitetin tonë? Prej kah erdhëm dhe ku do të shkojmë? Çfarë të drejte juridike do të kishim për mbrojtjën e interesave tona kombëtare me qenë se pa Gegnishten mbesim me identitet anonim? Në kushtet e nji “ beteje të verbërt “ me fillesë politike dhe e nxitun prej nji smire patologjike me motive krahinore antishqiptare që sot mbahet në kambë artificialisht prej akademikve të cilët vlersojnë ma tepër “unin” e tyne se sa interesat ‘ kuq e zi ‘ mbarëkombtare, del si ‘ detyrë mbi detyrat’ jo vetem mbrojtja, por edhe rritja e fuqizimi i përdorimit të gjuhës së Nanës, Gegnishtes. POR KUJDES !!! Nuk kërkohet përmbysje e “standartit “në favor të Gegnishtes, por vetem rishikimi e tij për me mundësue ndërthurjen sa ma të mirë dhe mbi baza shkencore të Tosknishtes me Gegnishten! Thirrjes tonë i vjen në ndihmë “dialektika dhe evolucioni”: gjuha si pasqyrim i pandalshëm i evolucionit në mjedisin shoqnor kërkon domosdoshmënisht sot mbas 52 vjetëve të zyrtarizimit të “ standartit”, studim dhe rishikim.