Një nga vizionarët më të mëdhenj të shekullit të kaluar, ishte Tahir Berisha nga fshati Berishë i Malishevës. Në thëniet e tij, kishte parashikuar se ky fshat nuk do të pushtohej asnjëherë. Kështu edhe ndodhi, pavarësisht dhjetëra tentimeve të forcave serbe që ta pushtojnë këtë fshat.
Varrin e babait e viziton shpesh.
Por, kujtimet me të, Xhezair Berisha i ka të pakta.
Ky i fundit ishte vetëm tre vjeçar kur fshatin Berishë të Malishevës e tronditi një lajm i rëndë.
Babai i tij, Brahimi, ishte vrarë gjatë luftimeve me forcat jugosllave.
E gjithë ngjarja kishte ndodhur në vitin 1949 në fshatin Gajrak.
Kjo meqë grupi i heroit, Rifat Berisha, ishte zbuluar nga policia sekrete jugosllave.
Për këtë arsye, katër anëtarët e kësaj familje, vendosën që për një kohë të largohen drejt Shqipërisë.
“Baba jem me gjithë babë të vetin dhe dy mixhallarë dhe dy kojshi, kanë dalë më shku për Shqipëri dhe kanë shkuar tek një nip në Gajrak, e kanë pasur një besim në të, kanë hyrë aty kanë nejt, por ai nipi i ka lajmëruar (tek forcat jugosllave) dhe atëherë kanë dalë policia i kanë rrethuar dhe aty kanë ra katër dëshmorë, baba jem me gjithë babë të vetin dhe dy mixhallarët”, thotë Xhezair Berisha- djali i dëshmorti, Brahim Berisha.
Kjo ngjarje bëri që fshati Berishë t’i humb luftëtarët më të shquar.
Por, pavarësisht kësaj, nuk ra asnjëherë në duart e pushtuesve.
Këtë nuk e arritën as forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Kjo bëri që të mos realizohej edhe një premtim i politikanit radikal serb, Vojsllav Sheshel.
“Pasi që kryekrimineli, Vojsllav Sheshel, nuk mundi ushtria e tij ta shkelte Berishën me këmbësori apo edhe me tanke, një prej thënieve të tije, sipas Tanjugit, thoshte se Berishën do ta shkeli, do të pi kafe në Berishë do ta ndërtoj stadiumin”, thotë Riza Berisha, ish- ushtar i UÇK-së.
Por, pse ky fshat u bë cak i bombardimeve të vazhdueshme?
Me 4 janar të vitit 1999, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, vendosi ta themelojë një radio lufte.
E selia e saj për gjashtë muaj u vendos pikërisht në fshatin Berishë.
Për këtë sulmet serbe drejt Majës së Pallanikut ku ndodhej bunkeri i radios, u intensifikuan.
“Ka pasur dhjetëra tentime të ushtrisë jugosllave të ngjitën në Berishë, por të gjitha ishin ta pasuksesshme, sepse ishte UCK-ja që u përball me ta, por motivi ynë dihej, sepse motivi ynë ishte për ta cliruar nga ky okupim. UÇK-ja pati ndihmë, duke mos e anashkaluar edhe faktorin NATO”, shprehet ish-ushtari i UÇK-së.
Fatin e këtij fshati që dikur kishte afër 40 shtëpi, e kishte parashikuar edhe një nga vizionaret më të mëdhenj shqiptar.
“Tahir Berisha ka thënë që Berisha nuk është pushtuar kurrë e as nuk do të pushtohet. Ai ka qenë një vizionar i fort, i mençur dhe i ka ditë të gjitha të senet. Çka ka thënë deri sot, krejt ka dalë”, tregon Xhezair Berisha.
Por, kush ishte Tahir Berisha nga ky fshat, thëniet e të cilit atë kohë pak kush i besonte?
“Tahir Berisha u kanë kryetar i Komunës, gjithë i ka fituar votat, s’ka mujt as Banushi me ja marrë as kurrkush, i ka fituar gjithë Tahiri, ka pasur autoritet. Ka pasur lidhje edhe me kaçak, me Azem Bejten e krejt këta.Tahir Berisha e ka ditë çfarë ka shkuar, por edhe çfarë do të vije”, shprehet Ahmeti, nipi i Tahir Berishës.
Pavarësisht se nuk u pushtua, në këtë fshat nga granatimet serbe, u vra nxënësi Elbasan Berisha me 27 mars të vitit 1999.