Zvicra do të luajë kundër Serbisë në Ligën e Kombeve të shtunën dhe do të jetë dueli i tyre i parë pas përballjes në Kupën e Botës 2018 dhe 2022.
Të gjithë sytë janë te kapiteni i Zvicrës, kosovari Granit Xhaka, i cili madje u lut nga vëllai i tij i madh, Taulanti të mos udhëtojë për të luajtur në Serbi.
Në Botërorin e Rusisë, Granit Xhaka tregoi shqiponjën shqiptare kur shënoi gol, ndërsa në Katar 2022 gjithashtu pati konfrontime me serbët.
“E di vetë se sa presion dhe emocione duhet të durosh në këtë ndeshje”, ka thënë Taulanti, i cili ka qenë reprezentues i Shqipërisë dhe ka luajtur në Beograd në vitin 2014.
Ai po ashtu ka treguar se menjëherë pas shortit ka marrë telefonin dhe i ka sugjeruar Granitit që të mos luajë.
“I sugjerova Granitit të fliste me trajnerin Murat Yakin dhe ndoshta ta kalonte këtë lojë, por të gjithë e njohim vëllain tim, ai dëshiron të luajë çdo ndeshje për Zvicrën”, tha Taulant Xhaka për Blick.
“Nuk është e lehtë të qëndrosh nën kontroll për 90 minuta kur gjërat bëhen përsëri kaq emocionale. Graniti duhet të qëndrojë i qetë, të luajë futboll, të fitojë dhe të injorojë provokimet. Është e lehtë të thuash, por në fund gjithçka përfundon në këtë: luaj lojë dhe fito”, ka thënë Taulanti.
Ndeshja ndërmjet Serbisë dhe Zvicrës është caktuar të shtunën dhe do të luhet në Leskovc.