Përgatisni qoftet e shijshme të Korçës vetë në shtëpi

Janë të famshme kërnackat e Korçës. Tradita e tyre është e lashtë sa vet qyteti i bukur i juglindjes së Shqipërisë.

Të shijshme, të ngrohta, të sapo pjekura në zgarë aroma e tyre është e pamundur të mos ndjellë shijen për t’i konsumuar menjëherë.

Receta e kërnackave është trashëguar brez pas brezi nga amvisat nikoqire korçare duke e shndërruar këtë gatim në një ndër më të preferuarit e shqiptarëve dhe jo vetëm.

Nuk ka turist të huaj që të vizitojë Shqipërinë e të mos provojë shijen fantastike tradicionale të kërnackave.

Sot, falë famës dhe shijes së tyre kërnacat e Korçës shërbehen në lolake tipike, të hapura me produkte të zgarës ku padyshim specialiteti kryesor i ofruar janë pikërisht qoftet tipike korçare.

Pavarësisht se gjenden lehtësisht në çdo cep sidomos të qyteteve të mëdha, të përgatitura në shtëpi nën kujdesin e amvisave shqiptare aroma e tyre mbush gjithë shtëpinë me dëshirën për t’i shijuar.

Shoqërohen në mënyrë fantastike me sallata të ndryshme, salcë kosi të freskët, sallatë me ullinj, sallata të ndryshme të stinës por edhe me patate apo perime të pjekura në zgarë gjithashtu ose furrë.

AgroWeb.org u sugjeron më poshtë recetën tipike të përgatitjes së kërnackave të Korçës krejt lehtë dhe plot shije në shtëpi.

Përgatitja e Kërnackave në Shtëpi
Përbërësit

1 kg mish viçi
5 kokrra qepë mesatare të grira hollë
3 kokrra vezë
200 gr bukë të njomur
Rigon
Piper i zi
Kripë sipas dëshirës
Majdanoz

Përgatitja

Të gjithë përbërësit përzihen në një masë të vetme e cila përpunohet me dorë derisa të jetë homogjene.

Lihet për dy orë që të marinohet.

Nga masa e përgatitur merren porcione të cilave u jepet një formë e gjatë 10 deri në 12 centimetra.

Piqen në zgarë me qymyr ose në mungesë të saj futen në furrë të spërkatura me vaj.

Nga kjo masë përgatiten rreth 30-40 kërnacka.

Shërbehen me pjatanca ovale dhe me sallata të ndryshme dhe qepë të grira hollë fare sipër tyre si dhe erza.