Lajme të mira janë dhënë në “Për Shqiptarët” edhe për gjysh Bardhin, 84 vjeçarin që endet dhe fle në korridoret e spitalit, ku mjekohet e bija prej disa javësh.
Elvis Naçi ka i ka komunikuar atij lajmin se pasi janë vënë në kontakt me një nga spitalet më të mira në botë dhe i kanë treguar rastin e të bijës, ata kanë dhënë shpresë se mund t’i shpëtojnë jetën.
Falë donacioneve të shqiptarëve që iu përgjigjën thirrje për ndihmë, do të mundësohet nisja e saj jashtë shtetit për kurim.
Po ashtu Fondacioni Firdeus do të kujdesen për gjysh Bardhin, si dhe për mbesën e tij, të cilës do t’i ofrohet bursë për të studiuar dhe nëse do të jetë nevojë për të qëndruar në konvikt pa asnjë pagesë.
Gjithashtu shumë shqiptarë kanë shkruar dhe kanë dhuruar para për t’i ardhur në ndihmë 84 vjeçarit që po sakrifikon për vajzën e tij, dhe nipin dhe mbesën.
HISTORIA:
Kjo është një nga ato histori që kur i dëgjon të thyhet zemra, kjo është historia e Bardhosh Hanaj, ose siç të gjithë e quajnë, gjyshi Bardhi.
Gjyshi Bardhi është 84 vjeç dhe vjen nga fshati Mesaplik i Vlorës. Arsyeja pse është sonte në studio është sepse të gjithë ata që e kanë njohur janë afeksionuar aq shumë me të sa kanë dashur të bëhen bashkëpunëtorët tanë për t’i dhuruar disa momente gëzimi në këto ditë të mbytura me vuajtje.
Dikur, jeta e tij ka qenë shumë më ndryshe. Ai kishte një shtëpi të madhe në fshat ku jetonte me bashkëshorten dhe 3 fëmijët, 2 vajza e një djalë.
Çdo ditë punonte shumë për të siguruar jetesën për veten dhe familjen, ka qenë gjithmonë një burrë i fortë dhe shumë krenar. Nuk i pëlqente t’i dorezohej vuajtjeve të jetës dhe e mbante gjithmonë kokën lart. Aq sa kishte mundësi i ndihmonte edhe njerëzit e tjerë në fshat kur kishin nevojë.
Si çdo baba tjetër, dëshironte vetëm që të sistemonte fëmijët. Uronte që të krijonin familjet e tyre dhe t’i jepnin shumë nipër e mbesa, ndërsa ai me bashkëshorten do e kalonin pleqërinë në fshat, do kujdeseshin për nipërit e mbesat dhe do mbillnin fruta e perime që ata të ushqeheshin me produkte të shëndetshme.
Por jeta kishte plane të tjera për të.
Para pothuajse 24 vitesh, djali i gjyshit i cili në atë kohë ishte 16 vjeç, për shkak të një incidenti mbytet në liqenin e Tiranës dhe humbet jetën.
Kur lajmi mbërriti në shtëpinë e gjyshi Bardhit, u duk sikur e gjithë bota u shemb. Kjo ishte goditja e parë që e përkuli nga dhimbja që nuk është zbehur as sot. Gjyshi Bardhi përpiqej të ishte i fortë.
Ai ishte burri i shtëpisë dhe nuk ia lejonte vetes që të dukej i dobët para bashkëshortes dhe dy vajzave. Burrat nuk qajnë e nuk dorëzohen thoshte. Ndërsa bashkëshortja e tij nuk e kalonte dot dhimbjen e të mos pasurit më djalin. Ditë pas dite mërzia dhe dhimbja po e mbysnin deri sa erdhi dita që i tha gjyshi Bardhit se nuk po duronte dot më. Nuk kishte më jetë pa djalin. Dhe ai, duke iu thyer zemra pak nga pak, i tha se mund të ikte e qetë, do të duronte ai për të dy. E kështu bashkëshortja ndërroi jetë dhe e la të vetëm.
Vitet kalonin por plaga e djalit nuk u mbyll kurrë. Ama gjyshi Bardhi nuk e jepte veten. Ai i martoi dy vajzat dhe u bë gjysh me një nip e një mbesë nga vajza e madhe Marjeta.
I donte shumë dhe i shihte si drita e syve. Për fat të keq babai i braktisi kur ishin shumë të vegjël, por gjyshi Bardhi ishte aty për ta dhe nuk do i braktiste kurrë, çfarëdo që të ndodhte. Vajza Marjeta ishte një rreze shprese për të, një rreze që e mbante gjallë. Me të ndante kujtimet, dhimbjet por edhe ngrohtësinë e pakët që i kishte mbetur. Marjeta e ndihmonte shumë me punët e fshatit, nuk e linte të lodhej dhe i thoshte shpesh të kujdesej për veten.
Por, pak nga pak edhe kjo rreze shprese nisi të zbehej. Marjeta po ndjehej e dobët.
I merrej fryma kur punonte dhe nisi të humbiste ndjenjat shumë shpesh. Gjyshi Bardhi e dërgoi për shumë vizita në spital. Ata u zhvendosën në qytetin e Vlorës, morën një shtëpi me qera afër spitalit sepse më shumë kohë po kalonin aty sesa në fshat. Kaluan 4 vite qe gjyshi Bardhi shkonte sa në një spital në tjetrin deri sa e sollën në spitalin e Tiranës. Vajza e tij është diagnostikuar me një sëmundje të rrallë e cila i ka dëmtuar edhe mushkërinë. Ajo është në një gjendje shumë të rënduar prej ditësh, madje ka pasur çaste që ka rrezikuar edhe të humbiste jetën por doktorët ia kanë dalë që ta stabilizonin.
Ditët e para kanë qenë më të vështirat. Gjyshi Bardhi nuk ka asnjë që ta ndihmojë. Ai është 84 vjeç dhe kujdeset i vetëm për vajzën e sëmurë sepse nuk e përballon dot që ta humbasë edhe atë. Çdo natë fle në karrige ose në shesh në korridorin e spitalit. Lahet me ujë të ftohtë në banjot e spitalit dhe shkon në Vlorë shumë rrallë sa për të parë si janë nipi dhe mbesa.
Gjyshi Bardhi ka ndejtur 8 ditë pa ngrënë asgjë sepse i vinte zor t’i kërkonte ndihmë të tjerëve. Ka mbijetuar 8 ditë vetëm duke pirë ujë nga çezma e spitalit. Përsëri nuk e ka humbur forcën për të ndenjur afër vajzës. Nuk do që të largohet prej saj, thotë se duhet të jetë gjithmonë të paktën 10 metra afër që ajo ta ndjejë praninë e tij dhe ta ndjejë që nuk është vetëm.
Tashmë janë bërë pothuajse 40 ditë që ai qëndron afër vajzës në spital. Për momentin ajo është e intubuar dhe nuk mund të flasë ndaj mënyra e vetme e komunikimit mes tyre është duke i shkruar letra njëri tjetrit. Marjeta ka merakun e fëmijëve, ata tani janë 18 dhe 19 vjeç dhe kanë nevojë më shumë se kurrë për të pasur mamanë afër. Çdo ditë ajo e pyet babain nëse kanë ngrënë dhe a janë mire me shëndet.
Gjyshi Bardhi e kupton se gjendja nuk është aspak e mirë por nuk e humbet shpresën.
Ai lutet çdo ditë vetëm që vajza të shërohet. Natën, ndërsa qëndron zgjuar në korridorin e qetë të spitalit, ku dëgjohet vetëm zhurma e aparateve mjekësore, pëshpërit me veten: “Ah djalë, a mos je duke e thirrur motrën pranë vetes?” dhe vazhdon lutet për një mrekulli. Një mrekulli që gjërat të rikthehen edhe njëherë siç kanë qenë.