Kurti, Kusari, Feraj: VV-ja i akuzon Rrahmanin e Korenicën për “bindje sheriatike” e “degradim”

Largimi i deputetëve Eman Rrahmani dhe Visar Korenica, që themeluan “Listën për Familjen”, duket të ketë shkaktuar pakënaqësi në radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Tashmë zyrtarisht ka nisur sulmi nga pushteti ndaj dy ish-deputetëve të VV-së. Albin Kurti, Mimoza Kusari dhe Hysamedin Feraj janë eksponentët e parë të VV-së që kritikuan Rrahmanin e Korenicën.

Gjatë fjalimit të tij të gjatë në mbledhjen e Këshillit të Përgjitshëm, Kurti kritikoi ikjen e dy deputetqve, pa i përmendur fare me emër Rrahmanin e Korenicën. Megjithatë, nga konteksti i fjalimit, lehtë është e kuptueshme që Kurti po fliste për këta dy deputetë.

Fillimisht, Kurti përmendi mospajtimet brenda grupit parlamentar të VV-së.

“Të njëjtin mesazh për pikëvështrim më duhet ta përçojë edhe për deputetët tanë të legjislaturës aktuale. Mes gjithë punës, kalimit të ligjeve e trajtimeve të përpikta të lëndëve në komisionet përkatëse, ka pasur nganjëherë edhe mospajtime, e ngecje të koncentruara më shumë te disa. Ja kemi borxh qytetarit që ta pranojnë atëherë kur bashkëpunimi nuk ka funskionuar dhe idetë nuk na kanë bashkuar. Shpresojmë që kandidatët dhe deputetët e ardhshëm ta lexojnë situatën mirë e të vetëdijësohen për përgjegjësinë që e kërkojnë, para se t’i futen garës” – tha Kurti fillimisht.

Pastaj, Kurti iu ligjëroi të pranishmëve për besnikërinë ndaj qytetarëve, të cilët votojnë përfaqësuesit politikë, dhe VV-së.

“Së pari, besnikëria jonë i takon qytetarëve, të cilët na votojnë. Dhe, së dyti, po ashtu edhe parimeve dhe kauzës politike të cilët e ndajmë me bashkëaktivistët politikë, me të cilët futemi në garë bashkarisht përmes programit dhe vizonit që ia parashtrojmë qytetarëve. Përderisa mendimi, qëndrimi dhe fjala e deputetit është e lirë, që të gjithë deputetët në LVV, që ishin kandidat të LVV-së, nuk ishin deputetë të pavarur, ishin deputetë të varur nga patriotizmi, nga dëshira e zjarrtë për drejtësi, për barazi, për zhvillim, që formë politike e ka organizatën tonë, subjektin tonë politik” – ka vazhduar Kurti.

Në fund të kësaj paranteze në fjalim e tij, Kurti e qartësoi idenë, duke thënë se nuk mund të braktisësh mënyrën me të cilën ke fituar, duke e “degraduar atë në synim individual”.

“E nëse nuk ka koherencë mes këtyre dy poleve, atëherë ambicia për të qenë i deleguar i qytetarit, unë besoj që duhet të vihet në pikëpyetje. Nuk mund të fitosh në një mënyrë, derisa të realizosh një qëllim të përbashkët për ta degraduar atë në synim individual, duke e braktisur mënyrën me të cilin ke fituar. Transformime e këtilla duhet të kritikohen e problematizohen në organizatën tonë” – ka thënë Kurti.

Ndërsa dje Feraj, këshilltar i Kurtit, ishte më i drejtpërdrejtë, duke i quajtur pikëpamjet e dy deputetëve si “rrahmanizëm”. Në një shkrim të gjatë mbi 1.200 fjalë, ndonëse e quajti “qasje miqësore”, Feraj shkroi disa interpretime të ashpra.

Feraj ka shkruar se “rrahmanizmi”, siç e quajti Listën për Familje, “kërkon ndryshimin e përcaktimit kushtetues të shtetit të Kosovës, nga shtet laik në shtet teokratik”.

“Rrahmanizmi

(Po e quaj kështu sipas përfaqësuesit kryesor. Qasje miqësore)

1. Rrahmanizmi kërkon ndryshimin e përcaktimit kushtetues të shtetit të Kosovës, nga shtet laik në shtet teokratik.

Kushtetuta e përcakton Republikën e Kosovës shtet laik (neni 8, ndërsa rrahmanizmi përpiqet të miratojë ligje sipas bindjeve sheriatike dhe jo sipas kushtetutës, dhe sipas sheriatit ashtu siç e kuptojnë rrahmanistët” – ka shkruar Feraj, ndër të tjera, të cilin status e shpërndau edhe Elvis Hoxha.

Në një intervistë, Kusari tha se Korenica kishe deklaruar se nuk do të largohet nga grupi parlamentar i VV-së.

“Kishim informacione të ndryshme por lajmërim të drejtpërdrejtë nga ata jo. Indikacionet kanë qenë për një periudhë disa javore se mund të dalin ose largohen, përkundër që e kanë mohuar një gjë të tillë. Vetë Korenica nuk ka javë që ka deklaruar se nuk do të largohet nga GP i Vetëvendosjes” – ka thënë Kusari.

Sjellim ndër mend që Lëvizja për Familjen është në kaolicion parazgjedhor me AKR-në e Behgjet Pacollit dhe Partinë e Drejtësisë, që udhëhiqet nga Ferid Agani.