Dy deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica dhe Eman Rrahmani kanë thënë se nuk do të votojnë asnjë ligj deri sa të kthehet vajza në shkollë.
E për këtë çështje kanë reaguar të dy deputetët pasi që një nxënëse në shkollën “Bedri Pejani” në Pejë, i është ndaluar ndjekja e mësimit për shkak të bartjes së shamisë.
Derisa, Korenica iu është drejtuar kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, si dhe ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, që t’ia lejojnë asaj të drejtën për shkollim.
“Nuk kam ndonjë hapësirë tjetër për me marrë fjalën. Po du me ngrit një shqetësim aktual. Të njëjtin shqetësim e kam ngritur edhe vitin e kaluar dhe më vjen keq që ministrja e Arsimit s’është në Kuvend. Ka katër javë që një vajzë nuk po vijon procesin mësimor në Pejë dhe është e moshës madhore, i ka 18 vjet. Çdo dy-tri ditë paraqitet në shkollë dhe përjashtohet nga drejtori Musa Nikqi dhe nuk e kuptoj se sa e drejtë është që ne të qëndrojmë këtu si deputetë dhe ju si kuvendar në krye të Kuvendit, por edhe vetë ministrja e Arsimit dhe të mos merret me rastin dhe me i dhënë të drejtën vajzës me shku në shkollë. Ne e kemi këtë përgjegjësi kolektive edhe si deputetë edhe ju si kryetari i Kuvendit dhe s’ka kuptim me vazhdu me votimin dhe mos mu marrë dhe me trajtu këtë rast dhe me ia dhënë të drejtën për arsim. Pra, i çoj mesazh drejtpërdrejt ministres së Arsimit të merret me rastin dhe të mos lejojë që këto probleme çdo vit me u paraqit për një faj që ne e kemi trashëguar nga dikush tjetër që e ka vendosur një udhëzim administrativ daviskriminues”, tha ai./teve1.info/