Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po vazhdon fushatën e tij të propagandës për të paraqitur Qeverinë e Kosovës si një fuqi agresive që synon luftë dhe po kryen spastrim etnik të serbëve në veri të Kosovës.
Në një fjalim që do të mbajë të martën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Vuçiq pritet të përdorë retorikën e paqes, por në të vërtetë fjalimi i tij pritet të jetë i mbushur me kërcënime.
Ai ka theksuar se, sipas Rezolutës 1244, Prishtina nuk ka të drejtë të krijojë një forcë të armatosur dhe ka akuzuar Kosovën për krijimin e një ushtrie të paligjshme, duke shkelur marrëveshjet ndërkombëtare.
Vuçiq njoftoi gjithashtu se do të takohet me zyrtarë të lartë amerikanë dhe mbi 60 liderë shtetesh për të prezantuar një plan me 7 pika kundër Kosovës.
Gjatë deklaratës së tij, ai theksoi se Kosova ka forca të trajnuara nga amerikanët, anglezët dhe turqit, këto nuk paraqesin kërcënim për ushtrinë serbe.
“Mos u shqetësoni, po i trajnojnë amerikanët, anglezët dhe turqit, kanë personel të mirë dhe të trajnuar, nuk është diçka që mund të kërcënojë ushtrinë serbe, por nuk ka dyshim se mund të kërcënojë mbijetesën e serbëve në Kosovë”, pretendon Vuçiq./telegrafi