Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani tha se shqiptarët e Luginës dëshmuan që “nuk nënshtrohen e as nuk heshtin, edhe përkundër mos implementimit të marrëveshjeve të nënshkruara nga vetë Beogradi” me marshimin e sotëm për “identitet e dinjitet”.
Sinani shkroi se “Presheva nuk mund të mos ishte vendi i cili do t’i bënte bashkë shqiptarët e Luginës”.
“Në MARSHIN protestues për IDENTITET & DINJITET e për të ngritur zërin kundër shtypjes e diskriminimit. – para Stacionit policor u kërkua ndërprerja e procesit të pasivizimit selektiv dhe rikthimi i adresave të shqiptarëve të pasivizuar – në Shtëpinë e Shëndetit u kërkua që ky institucion të mos bëhet shtëpi e diskriminimit – pranë zyrës së Trupit Koordinues e quajtëm bashkë këtë institucion Trup Çkoordinues dhe para Gjykatës u kërkua rikthimi i këtij institucioni”, shkroi ajo në një postim në Facebook.
Ajo tha se betejat e tyre si shqiptarë do t’i vazhdojnë.
“Sot, dëshmuam edhe një herë që shqiptarët e Luginës as nuk nënshtrohen e as nuk heshtin, edhe përkundër mos implementimit të marrëveshjeve të nënshkruara nga vetë Beogradi. Betejat tona si shqiptarë do t’i vazhdojmë edhe më tej, sado e vështirë të jetë rruga deri në realizimin e plotë të të drejtave tona”, shkroi Sinani.