Policia e Kosovës ka nisur hetimet lidhur me djegien e vilës së deputetit Mefail Bajqinovci.
Zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka deklaruar se hetimet po kryhen në bashkëpunim me prokurorin e shtetit, duke shtuar se nuk raportohet për ndonjë të lënduar.
“Sot rreth orës 19:00, kemi pranuar informatën se një villë në fshatin Katunishtë të Podujevës, është djegur. Bazuar në të dhënat e deritanishme nuk raportohet për ndonjë person të lënduar. Aktualisht hetuesit policor në koordinim me prokurorin kanë nisë një hetim për rastin”, ka deklaruar Ahmeti.
Për djegien e vilës ka folur edhe vetë deputeti Bajqinovci, duke thënë se ai bashkë me familjen e shfrytëzojnë për qëndrim këtë vilë, por kur ka ndodhë incidenti nuk ka pasur persona brenda.
Sipas regjistrit për deklarimin e pasurisë për vitin 2023 që Bajqinovci e ka dorëzuar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, vlera e kësaj vile është 25 mijë euro.
Në këtë dokument Bajqinovci deklaron se këtë objekt e kishte blerë në vitin 2018 me kredi.