Pas kërkesës gjermane për heqjen e masës për produktet serbe nga ana e Republikës së Kosovës, paqartësitë rreth pozicionit të Prishtinës zyrtare në Samitin 14 tetorit në Berlin, mbeten ende të mëdha.
Megjithëse Qeveria e vendit bëri të ditur se po punon drejtë zhbllokimit të CEFTA-s, ajo nuk
specifikoi nëse do të pranojë kompromisin që i kërkoi Gjermania – heqjen e masës për mallrat serbe në këmbim të zëvendësimit të UNMIK-ut në CEFTA me Kosovën.
“Tani kur po shënohet 10 vjetori i procesit të Berlinit, Kosova është teknikisht pjesë e
procesit, por në letrat zyrtare, në komunikatat apo letrat publike, pak ose fare përmendet emri i saj. Nëse e përkthejmë në rreshta, natyrisht se mund të interpretohet si mesazh politik, se po
deshi Kosova të vazhdojë të qëndrojë si pjesë e Procesit të Berlinit, ajo duhet të plotësojë kriteret që po i kërkohen dhe kompromiset që po i kërkohen”, tha për RTK-në, Vjollca Hajdari- njohëse e zhvillimeve ndërkombëtare.
Njohësi i çështjeve ekonomike, Erton Bega, vlerëson se reagimi gjerman vjen edhe për faktin se Kosova ka qenë me vite një dëgjuese e mirë e faktorit ndërkombëtar, ndërkohë që Serbia është
amnistuar, pavarësisht se e ka dëmtuar Kosovën përmes masave të ndryshme.
“Çka duhet të bëjë Kosova, nuk varet vetëm nga ne, por është sekretariati i CEFTA-s, i cili
duhet t’i trajtoj të gjitha problemet që kanë shtetet mes vete dhe me këtë rast duhet të trajtojë edhe pengesat në Serbi, mbi produktet e Kosovës, të cilat plasohen në tregun serb, apo edhe e përdorin Serbinë tranzit për t’u plasuar në tregun evropian”, tha Bega.
Njohësit politikë dhe të fushës së ekonomisë presin që Qeveria ta shfrytëzojë këtë
situatë, që krahas heqjes së ndalesës për mallrat nga Serbia të rinegociojë në tërësi marrëveshjen e saj në CEFTA, e cila u nënshkrua nga UNMIK-u në emër të Kosovës në vitin 2006.