Nga 525 mungesa të deputetëve në sesionin e kaluar në Kuvendin e Kosovës, Behgjet Pacolli është listuar i pari nga partitë shqiptare.
Kështu vlerëson raporti i Institutit Demokratik të Kosovës, ku Pacolli gjatë sesionit pranveror ka gjithsej 14 mungesa.
E për këtë çështje i pari i AKR-së, ka një arsye.
Ai arsyeton mungesat me lobimin për njohjen e Kosovës dhe sipas tij, kjo punë që ka bërë ka qenë më e rëndësishme sesa sic është shprehur, humbja e kohës në Kuvend duke dëgjuar akuza dhe kundërakuza mes partive.
“Po, mund të jetë ashtu. Unë kam munguar në disa seanca të Kuvendit, por nga ana tjetër nuk jam ndalur kurrë. Kam lobuar nëpër botë për njohjen e Kosovës, që për mua ka qenë shumë më e rëndësishme se sa të humbas kohë duke dëgjuar akuza dhe kundërakuza banale mes partive dhe grupeve parlamentare brenda Kuvendit. Nga ana ime, kam sjellë disa nota verbale nga shtete të rëndësishme që kanë njohur pasaportat e Kosovës. Jam gjithashtu në proces të sigurimit të njohjeve të tjera dhe gjithë këtë e kam bërë me iniciativën time personale, pa mbështetje nga qeveria e Kosovës”, tha Pacolli për TeVe1.