Gazetari Baton Haxhiu është thirrur në “burime” të veta në Bruksel duke shkruar se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është ftuar në Samitin e Procesit të Berlinit dhe se për këtë gjë ka 23 ditë afat të ndërmerrë hapat që i janë kërkuar, i.e, zhbllokimin e marrëveshjes së CEFTA-s për çka ka marrë kritika të mëdha nga Berlini zyrtar.
“Burimet e sigurta nga Brukseli kanë konfirmuar për Albanian Post se Kosova nuk ka marrë ftesë për Samitin e Berlinit, një ngjarje kyçe që shënon 10 vjetorin e procesit. Kjo është një shenjë e qartë se për komunitetin ndërkombëtar, Kosova është duke dështuar në përmbushjen e angazhimeve të saj rajonale. Gjermania, me disiplinën dhe qartësinë që e karakterizon, ka vendosur një afat të prerë: deri më 13 tetor, Kosova duhet të provojë seriozitetin e saj në zbatimin e marrëveshjeve rajonale, që synojnë lehtësimin e jetës së qytetarëve dhe integrimin e qëndrueshëm në Ballkan”, ka shkruar Haxhiu.
“Kosova ka vetëm 23 ditë për të reflektuar dhe vepruar. Ultimatumi i vendosur nga Gjermania është një test i qartë për seriozitetin e lidershipit të Albin Kurtit. Nëse Kurti nuk ndryshon kursin, Kosova do të përballet me një izolim edhe më të madh ndërkombëtar. Ndërsa Vuçiç po fiton terren dhe po zgjeron influencën e Serbisë në rajon, Kurti po e humb jo vetëm mundësinë për të avancuar interesat e Kosovës, por edhe aleatët e saj kyç”, shkroi më tej haxhiu.